Prokuroria ka sqaruar dje se njëri nga prokurorët që ka hetuar disa prej personave të arrestuar gjatë aksionit “Ballkan” tri ditë më parë, Anton Martini, është transferuar në Prokurorinë e Shkodrës me kërkesën e tij
Sipas një shkrese të datës 17 shtator 2015, prokurori Anton Martini shprehet te shkresa në fjalë se është informuar në lidhje me shpalljen vakant të funksionit drejtues prokurorie në Shkodër, mëson “Panorama.al”.
Nisur nga ky fakt, prokurori Martini ka renditur në letrën e tij drejtuar Drejtorisë së Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore në Prokurorinë e Përgjithshme arsyet pse kërkon transferimin në Shkodër. “Duke pasur në konsideratë faktin se me përvojën time të fituar gjatë këtyre viteve si prokuror sektori do t’i jap shtysë pozitive drejtimit të Prokurorisë së rrethit Shkodër, paraqes kërkesën time para Këshillit të Prokurorisë për të konkurruar për këtë pozicion drejtues, duke u transferuar pranë kësaj prokurorie”, thuhet ndër të tjera në letrën e prokurorit Martini në shtator 2015.
Ai u transferua në Prokurorinë e Shkodrës në dhjetor 2015, tre muaj pasi paraqiti kërkesën e tij, ndërsa sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ai në asnjë rast nuk e ka hetuar dosjen e shtetasit Arben Prendi. Dosjen e këtij shtetasi mësohet se e ka hetuar një prokurore dhe pas largimit të saj për arsye shtatzënie, e ka marrë në hetim një prokuror tjetër, ai që finalizoi aksionin, por në asnjë rast procesimin nuk e ka pasur prokurori Anton Martini.