Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga Varshava vizitën në Tiranë të ndihmës sekretares së Shtetit Victoria Nuland e cila pritet të vijë të dielën.
Sipas tij, ardhja e zonjës së “hekurt” të Uashingtonit është një tjetër sinjal i forte për shqiptarët se çfarë rëndësie i kushton Shtëpia e Bardhë, reformës në drejtësi, raporton panorama.
“Ardhja e zonjës së “hekurt” nga Uashingtoni është një tjetër sinjal shumë i rëndësishëm për shqiptarët se çfarë rëndësie të madhe i kushton Shtëpia e Bardhë reformës në drejtësi dhe se çfarë fitojmë ose se çfarë humbim duke e votuar ose duke mos e votuar reformën në drejtësi. Jo vetëm si ambicie për të përmbysur një sistem të kalbur dhe për të ngritur një sistem drejtësie që shqiptarët e meritojnë, por edhe në kuptimin se çfarë do të jetë nesër Shqipëria në sytë e Shteteve të Bashkuara, nëse nuk do të jetë në gjendje të kalojë reformën në drejtësi”, u shpreh Rama.