Ndodhi që ditëlindja e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, 4 korriku, të kremtohej gjatë mbajtjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor në Paris.
Në darkën solemne të Samitit, Ivica Daçiç, shef i diplomacisë serbe, ka kënduar për Edi Ramën, transmeton Koha.net.
Presidenti francez, François Hollande ka shtruar një darkë mikëpritje për të gjithë kryeministrat e Ballkanit, që ishin pjesë e samitit në Paris.
Sipas gazetës serbe “Kurir”, Hollande i ka kërkuar Daçiç që të këndojë një këngë për nder të ditëlindjes së Edi Ramës.
“Kurir” shkruan se “këngëtari ynë kryesor në skenën politike nuk e ka refuzuar kërkesën”. Mësohet se Daçiç i këndoi një këngën “O sole mio” si dhe “Santa Lucia”. Referuar detajeve të nënvizuar nga gazeta serbe, pak para se të niste këngën, ai ka pyetur ku është orkestra?
Pas kësaj performance, Hollande, Merkel dhe Mogherini e puthën dhe e përqafuan Daçiçin për atmosferën e bukur që krijoi.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që ai i këndon, e aq më tepër kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Para dy vjetësh në Beograd, në samitin e Kinës dhe të 16 vendeve të Evropës Lindore e Qendrore, Edi Ramës i ishte kënduar nga i njëjti repertor.