Publikohet një tjetër video e makinës së grabitësve të Rinasit. Pamjet janë regjistruar nga kamerat e një biznesi në rrugën nacionale Rinas-Fushë-Prezë, afërsisht 3 km në veriperëndim të aeroportit, raporton Report TV.
Nga pamjet duket qartë se mjeti i përdorur nga grabitësit vjen nga një rrugë e fshatit Fushë-Prezë dhe futet në rrugën e Rinasit. Pak minuta pasi vetura doli nga kjo rrugë, ndodhi grabitja në aeroportin e Rinasit, ku u morën afërsisht 1 milion euro.
Pasi është kryer grabitja brenda aeroportit, vetura e autorëve futet sërish në rrugën në të cilën kishte dalë 10 minuta më parë. Vetura ka marrë në të majtë, në drejtim të fshatit Fushë-Prezë, në një rrugë të shtruar me asfalt.
Pasi ka ecur rreth 600 metra, mjeti është futur sërish majtas në një rrugë të me çakull, ku edhe është djegur. Në këtë kohë aty ka qenë duke pritur një furgon Mercedez-Benz, që është përdorur në fazën e dytë të grabitjes.
Me të personat janë larguar duke ndjekur një rrugë në drejtim të fshatit Fushë-Prezë për të dalë në fshatin Gjeç-Fushë në drejtim të fshatit Bërxull. Grabitësit dyshohet se kanë përdorur kryqëzimin e rrugës së Rinasit me atë Bërxull-Laknas.
Pikërisht në këtë zonë nuk ka më informacion se çfarë drejtimi ka mbajtur automjeti. Hetuesit dyshojnë se itinerari i përdorur nga grabitësit ka qenë përafërsisht i njëjtë dhe i paracaktuar.