Partia Demokratike i ka dërguar 17 ditë më parë një variant të ri maxhorancës për të zhbllokuar ngërçin e miratimit të Reformës në Drejtësi.
Burime nga selia blu bëjnë të ditur për Panorama se me propozimin e ri demokratët janë tërhequr nga vendet e rezervuara për ti hapur rrugë gjetjes së konsensusit.
Mësohet se në propozimin e ri nuk parashikohet që lista e kandidatëve për në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Pavarur të Kualifikimit të propozohen dhe verifikohen nga partitë politike.
Në variantin e parë të Komisionit të Venecias për rekomandimin 88 thuhej se “në se partitë politike të përfshira në proces nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për zgjedhjen e anëtarëve, që do të vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), ata mund të zgjedhin një sistem proporcional zgjedhjeje, i cili i garanton opozitës përfaqësimin në këto organe kolektive ose çdo lloj modeli tjetër të përshtatshëm, i cili do t’i siguronte opozitës një ndikim të caktuar në procesin e zgjedhjes së tyre.”/Panorama