Dy ditë më parë, në Kolovicë të Prishtinës ndodhi një tragjedi e rëndë, kur në një gropë të hapur në një pronë private, humbin jetën dy fëmijë të familjes Mramori – Florenta 13 vjeçe dhe Florenti 11-vjeçar.
Pronari i kësaj toke, Selman Berisha, në një bisedë për Telegrafin ka thënë se ka bërë kërkesë tek Komuna e Prishtinës për ta mbyllur gropën. Por, sipas tij, “Inspektorati i Komunës e ka injoruar”.
Berisha thotë se kjo gropë u hap në kohën kur kryetar i Prishtinës ishte kreu i LDK-së dhe kryeministri i tashëm i Kosovës, Isa Mustafa.
“Para tri viteve nisi të ndërtohet rruga afër tokës time, një kilometër e gjysmë e gjatë. Tenderin e këtyre punimeve e ka pasur kompania ABC. Meqë toka ime ishte si një kodër, e kanë bërë një mur dy metra të lartë që mos të ketë shembje”, ka thënë ai për Telegrafin.
Sipas tij, tokën më nuk mund ta shfrytëzonte, meqë kishte mbetur në 28 metra lartësi nga rruga.
Për gropën fatale në Kolovicë, Komuna dhe kompania e akuzuar demantojnë pretendimet e LDK-së
“Ky vend nuk më duhej kështu. Por, meqë nga kompania thanë se dheu u duhet atyre, me lejen e Inspektoratit të Komunës – para tri viteve – i lash të gërmojnë, që të më bëhet toka e rrafshët, që të mund të mbillja diçka. Për këtë kam nënshkruar kontratë“, vazhdon rrëfimin pronari i kësaj toke.
Marrëveshja me “Europa Partners” për shfrytëzimin e tokës për largimin e materialit guror dhe procesverbali i Inspektoratit ku thuhet ndalja e këtyre punimeve meqë pa leje nga organet komunale po bëhet ndryshimi i konfiguracionit të tokës kodrinore në tokë të rrafshët
Ai tha se punimet i vazhdoi kompania tjetër, Benita Company, kur udhëheqjen e Komunës e merr Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ata kanë bërë marrëveshje me djalin e axhës dhe me një kushëri timin, që këtë pjesë ta bëjnë si një teposhtëze dhe t’i mbyllin gropat. Por, erdhën inspektorët me Polici për t’i ndalur punimet. Ju thash që kjo është pronë e imja, e ata më thanë: ‘Po, ama ti ke pronë vetëm deri 20 centimetra nën tokë, se pjesa tjetër është e shtetit’. Më thanë të shkoja në Inspektorat, ku edhe shkova. Ua shpjegova situatën, duke treguar se vajza ime 13-vjeçare për pak sa nuk u mbyt në një gropë me ujë, por që është gjallë falë kushërirës që e ka shpëtuar”, tha Berisha.
Sipas tij, atë gropë e kanë mbyllur me lutje të tij, por shprehet se nuk është marrë seriozisht rregullimi i tokës, për çka hapen gropat tjera ku mbyten Florentina dhe Florent Mramori.
“Atë e mbyllën pasi shkova në Komunë. U luta ta rrafshojnë atë vend. Por, më thanë: ‘Nuk është koha e Isa Mustafës’. E ndaluan kompaninë për të punuar, duke thënë: ‘Kush shkon aty, menjëherë i konfiskohen mjetet’. Edhe pse sërish tregova për rrezikun, më injoruan. Prandaj, i paralajmërova se nëse ndodh diçka nuk marr përgjegjësi”, thotë ai.
Nga ai moment, Berisha shprehet se nuk është marrë me tokën.
“Jam kujdesur që të mos lejoja fëmijët të lahen aty, por ishte e pamundur të bëja kontrolle të shpeshta”, shprehet ai. “Toka shfrytëzohej nga të tjerët. Kujt iu ka dashur dheu, e kanë marrë pa pyet. Bile kanë gjuajtur bërllok, tulla e gurë aty. Qëkur në vitin 2014 janë ndërprerë punët, s’kam mundur të bëjë asgjë aty, pos një muri rrethues lartë nga frika se dikush mund të rrëshqasë e të bie poshtë. Dje takova një inspektor të Komunës, i cili më tha: ‘Qysh rren burri plak, ti e ke për ndërtim të lartë e jo për tokë të punueshme’. I thash që nëse rrej, le ta sheh konton time se sa para kam. Vetëm njw lopë e kam që ushqejë familjen. Eh, sikur të isha taku me Shpend Ahmetin, me siguri kjo punë do të merrte fund”. /Express