4 persona mbetën të vrarë në atentatin, që një 41 – vjeçar shqiptar dhe bashkëpunëtorët e tij, kryen ndaj një biznesmeni në Qipro.
Krimi ndodhi rreth mbrëmjen e së enjtes, në një lokal nate në zonën turistike të Ajias Napas, në jug të ishullit.
Biznesmeni u qëllua me breshëri automatike, teksa po darkonte në një restorant, bashkë me dy punonjës policie. Mes autorit dhe viktimave pasoi shkëmbim zjarri, ku si pasojë mbetën të vdekur biznesmeni Fanos Kalopsidiotis, një prej punonjësve të policisë, bashkëshortja e tij, si dhe shqiptari 41 – vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.
Policia gjeti automjetin e djegur të autorëve në një pikë karburanti bashkë me një armë kallashnikov. Shqiptari që mbeti viktimë në atentat, dyshohet të jetë një vrasës me pagesë, ndërsa biznesmeni, një emër i njohur i lokaleve të natës dhe lojrave të fatit.
Katër vjet më parë, 5 truprojat e tij u vranë në një sulm me armë, që kishte si objektiv biznesmenin, por vetë ai arriti t’i shpëtonte atentatit.
Ndërsa në 2014 -ën, në po të njëjtën rrugë, mbeti i vrarë në pritë babai i tij. Dyshimet e policisë janë për një vrasje të porositur, që lidhet me aktivitetin e errët të biznesmenit në fushën e bixhozit dhe lokaleve të natës.
Tv Klan