Diplomatët ndërkombëtar në Shkup po zhvillojnë takime të veçanta me përfaqësuesit e katër partive kryesore për t’i ulur palët përsëri në tryezën e negociatave.
Këtë e ka bërë të ditur shefi i grupit parlamentar të BDI-së Talat Xhaferi, i cili thotë se edhe krahas përpjekjeve intensive, ende nuk është caktuar data e takimit mes përfaqësuesve të katër partive.
“Datë konkrete nuk ka, por komunikimi me faktorin ndërkombëtar, gjegjësisht me Ambasadën Amerikane dhe atë të BE-së është permanent”, tha Xhaferi.
Në kuadër të tentativave për të zhbllokuar negociatat, po bëhen përpjekje që nesër të realizohet një takim mes anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve me përfaqësuesit e katër partive politike dhe me diplomatët e huaj, raporton KossovaPress.
Në këtë takim është paraparë të formohet një grup pune lidhur me kërkesën e LSDM-së për të kontrolluar në mënyrë shtesë rreth 42 mijë votues, si dhe për evidentimin e votuesve nga diaspora në një listë të veçantë./klan