Amir Abrashi mund të evidentohet pa frikë e mëdyshje si një nga lojtarët më të mirë të kombëtares sonë, një “pitbull” i vërtetë, që mbyll zonat, bën presion në thellësi te kundërshtari, thyen aksionet, dylufton me këdo e nuk ndihet inferior ndaj askujt, as ndaj kalibrit të Paul Pogba. Mbi të gjitha, futbollisti shqiptar i Freiburgut nuk di të ndalet, është një “makinë” e vërtetë, a thua se punon me “naftë”. Këtë e tregojnë kilometrat e përshkuara në ndeshjet e zhvilluara në Grupin A të Europianit të Francës, por më së miri e dëshmon sfida e fundit, me rumunët.
Sipas matjeve të sakta, që ka bërë UEFA për të gjithë lojtarët, të cilët luajtën mbrëmë në stadiumin e Lionit, Amir Abrashi është rekordmen. Ai kryeson në këtë drejtim, me 11.47 km, më shumë se askush tjetër në ndeshjen Rumani-Shqipëri 0-1. Pas tij është rumuni Stanciu, me 11.07 km. I treti është Lila, ndërsa i katërti Memushaj, në këtë klasifikim të UEFA-s për kilometrat e përshkuar nga lojtarët në këtë ballafaqim ballkanik në “Euro 2016”.
Ndërkohë, lidhur me fitoren ndaj të besuarve të Jordanescut, Abrashi ka lënë këtë mesazh në Facebook: “Për ju që besuat, për ju që gjithmonë u kishim afër dhe për ata që nuk janë më, por e ëndërruan këtë fitore: Faleminderit, tifozët më të mirë në botë. Fitorja është për miliona shqiptarë!”