Fitorja përballë Rumanisë në ndeshjen e fundit në grupe është historike për kuqezinjtë.
Si e tillë ajo duhej festuar gjatë, megjithëse ende nuk është përcaktuar nëse Shqipëria do të kalojë në turin tjetër të Euro 2016.
I këtij mendimi ka qenë Presidenti i FSHF-së, Armando Duka i cili ka propozuar që me të mbërritur në Hotelin ku është akomoduar prej dy javësh kombëtarja, të nisë festa. Por ky propozim i Dukës është kundërshtuar nga trajneri i kombëtares, Xhani De Biazi, i cili nga ana e tij ka qenë i rreptë me regjimin që duhet të kenë lojtarët.
Ai u ka kërkuar që të hanë darkë, të takohen per pak momente me familjaret e tyre dhe të shpërndahen secili në dhomat e fjetjes. Sipas teknikut, ekipi nuk ka arritur asnjë gjë, ndaj ai jo vetëm ka ndaluar festimet deri në orët e vona të natës, por edhe ka ndaluar kamerat në restorantin ku darkonte skuadra.
Edhe tifozët që kanë shkuar drejt hotelit të kombëtares për të festuar kanë mbetur të zhgënjyer pasi nuk janë lejuar t’u afrohen idhujve të tyre. Rreth 10 furgonë policie kanë krijuar një kordon sigurie përreth hotelit për të evituar që ekipi të shqetësohej pas vendimit të trajnerit.
Ekipi do të udhëtojë gjatë paradites drejt Peros Girek, ndërsa De Biazi ka planifikuar edhe një seancë stërvitore me ekipin gjatë pasdites, në pritje për të mësuar nëse kuqezinjtë do të vazhdojnë apo jo rrugëtimin në turne.