Nga Jetona Koçibelli
Tenderi i hapur nga qeveria për ndërtimin me koncension të hidrocentralit “Katund i Ri” vihet në pikëpyetje nga akuzat për favorizimin e kompanive turke, mungesën e transparencës dhe konsultimin me komunitetin – i cili ka frikë se tokat dhe shtëpitë që pritet të përmbyten nga diga, do të shpronësohen me çmime qesharake.
Prej 20 vjetësh, djemtë e Shaban Beçës kanë punuar në fushat e duhanit në Itali. Me kursimet e tyre, ata kanë ngritur në fshatin Podgorcë të Dibrës një restorant të këndshëm me gatime tradicionale të zonës, kopshtin, shtëpitë dhe gjithçka kanë – buzë lumit Drin i Zi. Tokat bujqësore të Beçës dhe ato të fshatit janë të punuara me kujdes dhe të mbjella me misër, grurë dhe shalqi.
Por e gjithë kjo pasuri, fryt i punës shumëvjeçare të familjes së tij rrezikon të zhduket – e përmbytur nga ujërat e lumit, pas ndërtimit të hidrocentralit “Katund i Ri.”
“Unë prekem shumë, sepse kam biznes, kam edhe shumë prona, 60 dynym [tokë] që më përmbytet komplet,” thotë Shabani, i cili nënvizon se restoranti i dhimbset më tepër, për të cilin ka vite që kujdeset së bashku me djemtë.
“Nuk kam informacion për kompensim, por më e rëndësishmja, nuk kam dalë në shitje,“ shtoi ai, duke shpjeguar se askush nuk kishte ardhur për t’i takuar dhe se dyshonte se banorët po “tradhëtoheshin.”
Më 24 maj, ministria e Energjisë dhe Industrisë, MEI, hapi një tender ndërkombëtar për dhënien me koncension të hidrocentralit “Katund i Ri”, pasi më parë i kishte dhënë një bonus bashkimit të përkohshëm të kompanive turke “Nurol” dhe “Suzer,” si ofertë e pakërkuar.
Ekspertët e kundërshtojnë bonusin si të pabazuar në ligj, duke e akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe favorizim të qartë të kompanive turke për fitimin e tenderit për ndërtimin e HEC-it – pjesë e njërës prej veprave më të rëndësishme hidroenergjetike në vend.
BIRN gjithashtu ka mësuar që përveç kompanive turke, qeveria ka marrë edhe dy propozime për hidrocentrale në lumin Drin nga kompani Kineze për të ashtuquajturin projekti i Skavicës së Madhe –ku HEC-i “Katund i Ri” bën pjesë – por ofertat e tyre nuk janë marrë parasysh.
Ndërkohë, banorët e Dibrës – tokat e të cilëve pritet të preken nga ndërtimi i digës së hidrocentralit – ankohen se nuk kanë marrë majftueshëm informacion mbi projektin dhe skemën që do të aplikohet për shpronësimet e mundshme të pronave të tyre.
Ata shtojnë se konsultimet publike nga ana e qeverisë për projektin kanë munguar, duke u shtuar ankthin që pronat e tyre nuk do të vlerësohen drejt.
E pyetur nga BIRN, ministria e Energjisë u shpreh se edhe pse kishte mbajtur një dëgjesë publike mbi projektin, ajo nuk ishte përgjegjëse për konsultimet me publikun – një detyrim që sipas saj i përket kompanisë koncensionare që do të fitojë tenderin për hidrocentralin.
Nga projekti i Skavicës, te “Katund i Ri”
Hidrocentrali “Katund i Ri” është pjesë e projektit energjetik të Skavicës, i cili u propozua për herë të parë në fillim të viteve 60.’ Ky projekt konsistonte në ndërtimin e një dige pranë fshatit Skavicë, midis Dibrës dhe Kukësit, me një kapacitet të instaluar prej 350 MW.
Në fillim të viteve 80’, kohë kur Shqipëria po përfundonte së ndërtuari hidrocentralin e Komanit, Skavica u mendua se do të shërbente për dy qëllime njëherësh: të prodhonte energji dhe të krijonte një liqen të ri me kapacitet të konsiderueshëm, duke sjellë rritje të prodhimit edhe në tre hidrocentralet më poshtë në kaskadën e Drinit.
Hidrocentrali pritej të shtonte prodhimin e energjisë në vend me mbi 1.8 miliardë kWh në vit, ku përfshihej prodhimi i vetë HEC-it dhe pjesërisht falë rritjes së eficencës hidrike në hidrocentralet e tjerë.
“Skema e shfrytëzimit të Drinit të Zi, për ndërtimin e hidrocetralit të Skavicës me parametra maksimale është miratuar dy herë në qeveri, në vitin 1963 dhe në fillim të vitit 1964 është miratuar në Byronë Politike, ka kaluar në Qendrën Shkencore të Institutit, të ministrive, e me radhë,” thotë inxhinier Emin Mysliu, projektues midis të tjerave i HEC-eve të Shkopetit dhe Bistricës dhe zbatues në projekte si HEC Fierza dhe Vau i Dejës.
Megjithë projektet e tanishme të qeverisë, të cilat synojnë të minimizojnë shpërnguljet e mëdha të popullsisë, inxhinier Mysliu vazhdon të mbështesë propozimin për ndërtimin e “Skavicës së madhe” dhe ankohet se qeveria nuk ua ka vënë veshin ekspertëve vendas.
“Nuk është argument shpërnguja e madhe e njerëzve, kur në fakt, vazhdimisht janë shpërngulur mbi një milion njerëz,” thotë ai. “Ata e bëjnë këtë zgjedhje për ndërtimin e “Katundit të Ri,” sepse nuk duan të marrin vesh të vërtetën, sepse nuk pyesin, nuk duan të informohen,” shtoi Mysliu.
Projekti i “Skavicës” hasi në fillim kundërshtim nga fqinjët, pasi po të ndërtohej siç ishte parashikuar, përmbyste sipërfaqe të konsiderueshme toke në Shqipëri dhe Maqedoni –në atë kohë, pjesë e ish-Jugosllavisë. Por me rënien e regjimit komunist dhe tranzicionin e vështirë me të cilin u përball Shqipëria, projekti mbeti në letër.
Në vitin 2005, qeveria socialiste e ish kryeministrit Fatos Nano arriti një marrëveshje me kompaninë Italiane Tassara-Geotecna Progetti-Kinglor Srl, TKG, për rigjallërimin e projektit të Skavicës.
Kompania italiane hoqi dorë nga krijimi i digës dhe hartoi një projekt që do të shfrytëzonte Drinin me rrjedhje të lirë nga kuota 411 metra në kuotën 285 metra, pra në të gjithë lartësinë nga kufiri me Maqedoninë deri pranë Kukësit. Në nëntor 2007, qeveria e qendrës së djathtë e ish kryeministrit Berisha e miratoi projektin e TKG, duke i dhënë një bonus prej 10 pikësh si propozim për koncension të pakërkuar.
Megjithatë, edhe projekti i TKG dështoi. Në vitin 2009, me financimin e Bankës Botërore kompania franceze e konsulencës, Sogreah prodhoi një studim për Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, për vlerësimin e potencialit hidrik të lumenjve shqiptarë. Në studimin e Sogreah jepen tre variante për ndërtimin e projektit të Skavicës në rrjedhën e lumit Drini i Zi.
Varianti i parë parashikon ndërtimin e vetëm një hidrocentrali, Skavica 441. Sipas të dhënave teknike të studimit, ky variant do e kishte koston 662.4 milionë euro ndërsa prodhimin vjetor 768 GWh, për një fuqi të instaluar 193MW. Kostoja e investimit për kapacitet të instaluar arrin në 3.43 milionë Euro/MW. Ndërkaq, sipërfaqja e përmbytur nga ky variant arrin në 5,861 hektarë tokë. Numri i personave të zhvendosur shkon sipas këtij varianti në 10 mijë. Për shkak të këtyre efekteve të mëdha me ndikime mjedisore dhe sociale, studio konsulente konstaton se ky variant është i shumë i vështirë për t’u financuar.
Varianti i dytë parashikon ndërtimin e dy hidrocentraleve: Katund i Ri, 445 dhe Skavica 395. Sipas këtij varianti, në total numri i të zhvendosurve shkon në 1,560 persona ndërsa sipërfaqja totale e përmbytur arrin në 2,297 hektarë tokë. Vlera totale e investimit për dy HEC-et shkon në 347.8 milionë euro, ndërsa prodhimi vjetor i përbashkët 694 GWh.
Varianti i tretë parashikon ndërtimin e dy hidrocentraleve: Katund i Ri 445 dhe Skavica 385. Sipas këtij varianti, numri i të zhvendosurve në total shkon në 800 persona ndërsa sipërfaqja totale e përmbytur arrin në 1,788 hektarë tokë. Vlera totale e investimit për dy HEC-et shkon në 313.8 milionë euro, ndërsa prodhimi vjetor i përbashkët 673 GWh.
Tenderi i hapur nga ministria e Energjisë bazohet në variantin e tretë të propozuar në studimin e Sogreah, dhe përfshin dhënien me koncension të vetëm njërit prej hidrocentraleve.
Bonusi i pakërkuar
Në prag të Krishtlindjeve, me datë 23 dhjetor 2015, qeveria miratoi në heshtje një bonus prej 8 pikësh për kompanitë turke “Suzer” dhe “Nurol,” për propozimin e tyre të pakërkuar për marrjen me koncension të formës BOT të hidrocentralit “Katund i Ri.”
Vendimi i qeverisë nuk u publikua në faqen e saj zyrtare kryeministria.al bashkë me vendimet e tjera të marra në të njëjtën mbledhje, por u zbardh në 7 janar në Fletoren Zyrtare – pasi Partia Demokratike në opozitë e pati cilësuar dhënien e bonusit si një aferë korruptive.
Në Fletoren Zyrtare, vendimi i Këshillit të Ministrave për bonusin nuk u botua me një relacion shoqërues. Në të thuhej vetëm se bonusi për bashkimin e përkohshëm të kompanive turke jepej “për ndërtimin e hidrocentralit “Katundi i Ri”, mbi lumin Drini i Zi, në kuotën maksimale të ujit, 445 m.m.n.d, në kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”.
Në të njëjtën kohë me vendimin e qeverisë shqiptare, kompania turke “Suzer” publikoi në faqen e saj të internetit lajmin se hidrocentrali i ri do të jetë me kapacitet 70 MW dhe pritet të kushtojë 110 milionë euro.
Dhënia e bonusit nga ana e Këshillit të Ministrave është bazuar në pikën 1 të nenit 7, të ligjit 125 të vitit 2013, “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat,” ku thuhet se : “Projektet për dhënien me koncension të prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike mund të realizohen në bazë të një propozimi të pakërkuar, ku propozuesit të propozimit të pakërkuar mund t’i jepet një bonus deri në maksimumin prej 10% të pikëve për pikëzimin e llogaritur në përputhje me kriteret e dhënies se koncesionit/partneritetit publik privat të përcaktuara në dokumentet e tenderit dhe në njoftimin e kontratës për dhënien e një kontrate të tillë.”
Megjithatë, në pikën 2 të të njëjtit nen saktësohet se rregullat për mënyrën e identifikimit, vlerësimit dhe të realizimit të projekteve të përshkruara në pikën 1 të këtij neni miratohen nga Këshilli i Ministrave.
Për këtë arsye, në 10 korrik 2013 është miratuar VKM. Nr 575 “Për Miratimin e Rregullave Për Vlerësimin dhe Dhënien me Koncesion/Partneriteti Publik Privat.” Sipas nenit 10, pika 2 të këtij vendimi, një propozim i pakërkuar nuk mund të lidhet “me një projekt, për të cilin tashmë ka filluar ose është shpallur procedura për dhënien e tij.”
BIRN iu drejtuar ministrisë së Energjisë me një kërkesë, bazuar në ligjin për të drejtën e informimit për të zbardhur propozimin e pakërkuar të “Suzer” dhe “Nurol” për ndërtimin e hidrocentralit, si dhe vendimin e komisionit të posaçëm për miratimin e bonusit. Përgjigja e MEI-t ishte negative.
Ilir Ciko, një ekonomist i edukuar në Harvard dhe ish-zëvendës ministër i ekonomisë argumenton se propozimi i kompanive “Suzer” dhe “Nurol” nuk mund të trajtohet me bonus, sepse rrjedha e sipërme e Drinit është studiuar më parë dhe nuk ka asnjë hapësirë për të cilën mund të bëhet një propozim i pakërkuar.
“Këtu hyn në lojë roli i institucioneve, të cilat në këtë rast duket se jo vetëm bëjnë të paditurin për ekzistencën e studimeve të mëparshme, jo vetëm se ‘harrojnë’ që çështje të tilla janë diskutuar plot herë në zyrat e shtetit e për të cilat janë marrë vendime, jo vetëm nuk ngrenë zërin për të treguar se në rastin e rrjedhës së sipërme të Drinit nuk ka as edhe një grimë vend për ndonjë propozim të pakërkuar, pasi gjithçka është trajtuar e madje edhe vendosur më parë, por shkojnë shumë më tej, duke e pranuar një ujdi të tillë dhe dhuruar bonusin përkatës,” tha Ciko.
Sipas tij, dhënia e bonusit nga qeveria ishte jo vetëm dëshmi i një akti të paligjshëm, por edhe të degradimit të institucioneve publike në Shqipëri.
“Nuk është shqetësues favorizimi i një kompanie, kjo ka ndodhur, ndodh çdo ditë e do të vazhdojë të ndodhë për gjatë. Është nëpërkëmbja e vlerave intelektuale, rrënimi i institucioneve dhe degradimi i administratës që si një rreth vicioz prodhon më pas dështimin e plotë në dy elementët e tjerë të rëndësishëm – transparenca dhe konkurrenca në proces,” shtoi ai.
Kreu i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, e cilëson gjithashtu si absurd vendimin e dhënies së bonusit për HEC “Katund i Ri,” duke nënvizuar se ky projekt ishte studiuar më parë në themel.
“Koncepti i propozimit të pakërkuar është një mekanizëm i përdorur dy dekada më parë në atë kohë kur vendet e varfra nuk kishin kërkesë për të investuar në to, pra investitorët nuk i njihnin dhe presupozon që qeveria është në nevojë për të vënë në dispozicion asete të caktuara publike me synimin që të tërheqë teknologji bashkëkohore, dhe të fusë në qarkullim ekonomi dhe pasuri të fjetura, siç është në rastin konkret uji,“ shpjegoi Preçi.
“Në rastin e ‘Skavicës’ mendoj se është i pakuptimtë zbatimi i çfarëdolloj bonusi, për faktin e thjeshtë që ndërtimi i këtij hidrocentrali është studiuar me imtësi gjysmë shekulli më parë, që në periudhën e regjimit komunist, pra përdorimi i bonusit në këtë rast është i panevojshëm,” shtoi ai.
Sipas Preçit, copëzimi i projektit të “Skavicës,” duke filluar me ndërtimin e HEC “Katund i Ri,” nuk shkon në të mirë të interesit publik.
‘Copëtimi i sotshëm krijon terren për të favorizuar investitorin, i ul koston atij,” tha ai.
Problemi tjetër, sipas Preçit është mungesa e transparencës në procesin përzgjedhës, ç’ka mund të prodhojë kosto të fshehta për ekonominë.
“Kjo çon në përzgjedhje jokualitative të kompanive, duke bërë që të vijnë investitorë jo seriozë. Duke mos qenë transparentë, procesi nuk ka konkurrencë midis kompanive, për rrjedhojë ka kosto të fshehta në dëm të interesave të ekonomisë publike,” shtoi Preçi.
Ekspertët thonë se trajtimi në mënyrë preferenciale i një kompanie mund të shoqërohet edhe me koston e mpirjes së investitorëve të tjerë. Kjo sjell edhe kosto të eficencës në treg, sepse një kompani mund të jetë e aftë për të ofruar një ide të mirë, apo një propozim të pakërkuar interesant, por jo detyrimisht është ajo kompani më e aftë për të marrë përsipër zbatimin e projektit në fjalë.
“Nuk duhet harruar një element i rëndësishëm që është lënë në harresë këto kohë; ndonëse studimi i Sogreah parashikon ndërtimin e HEC “Katundi i Ri,” rekomandimet e këtij studimi mbështesin njëkohësisht ndërtimin e HEC Skavicë – i cili sipas këtij studimi duhet ndërtuar përpara atij të “Katundit te Ri,” dhe kjo gjë nuk po ndodh,” tha Ciko.
“Promovimi i dukshëm dhe problematik i kompanive, për mua të panjohura, siç është rasti në fjalë, pa i paragjykuar aspak ato, me gjasa do të mbajë larg pjesëmarrjen e kompanive të mëdha europiane në këtë projekt,” përfundoi ai.
Propozimet kineze
Përveç propozimit të dy kompanive turke “Suzer” dhe “Nurol” për ndërtimin e HEC-it “Katund i Ri,” dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë që qeveria ka marrë dhe oferta nga kompani kineze për ndërtimin e hidrocentraleve në rrjedhën e sipërme të Drinit të Zi.
Kompania kineze “Power China” ka propozuar në shator të vitit 2014, ndërtimin për llogari të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, të projektit të Skavicës në nivelin 485 metra, ose i ashtuquajturi “Skavica e madhe.”
Propozimi i saj vinte pas kontakteve të kryeministrit Rama me kryeministrin Kinez Li Keqiang në Forumin Ekonomik në Davos si dhe pas takimit me 10 shtator 2014, midis dy liderëve në qytetin kinez, Tijanin.
Sipas një draft memorandumi mes “Power China Chengdu Engineering Corporation Limited” dhe “China Hope Energy Investment Limited,” KESH dhe ministrisë së Energjisë; Li Keqaing dhe Rama kanë arritur një marrëveshje për financimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës nga kinezët.
Kapaciteti i instaluar i hidrocentralit do të ishte 350 MW, dhe përveç gjenerimit të energjisë elektrike, parashikonte uljen e rriskut të përmbytjeve nga lumi Drin në Shqipëri dhe Mal të Zi.
Sipas Geri Selenicës, përfaqësues në Shqipëri i “Power China”, investimi kapte vlerën e mbi 1 miliardë eurove, nga të cilat 600 milionë për ndërtimin e digës dhe mbi 500 milionë euro për shpronësimet dhe rehabilitimin mjedisor dhe ekonomik të zonës së përmbytur.
Projekti parashikohej të financohej nëpërmjet një kredie të butë për KESH, që do të paguhej në formë “leasing” në një periudhe 15-vjeçare nga Korporata, bazuar në të ardhurat e gjeneruara nga eksporti i energjisë.
Në fillim të tetorit 2014, përfaqësuesit e kompanisë kineze të udhëhequr nga Presidenti i saj, Jianyue Zhang kanë ardhur në Shqipëri dhe kanë mbledhur të dhëna mbi kaskadën e Drinit si dhe projektin e Skavicës.
Sipas Selenicës, qeveria shqiptare ka marrë oferta për ndëtimin e HEC Skavicës edhe nga dy kompani të tjera të mëdha kineze, GeZhouba dhe Norinco Group. Norinco group i ka ofruar Kryeministrit Rama një kredi të butë për ndërtimin e HEC-it me afat kthimi 35 vjet, me 2 % interes dhe 7 vitet e para falas.
Megjithatë, Selenica thotë që qeveria nuk i ktheu kurrë përgjigje kinezëve. Madje, sipas tij kryeministri Edi Rama as nuk doli t’i priste në zyrën e tij presidentin e “Poëer China” dhe drejtuesit e lartë të firmës kineze, të cilët e kishin mikpritur një muaj më parë në Pekin.
“Kompanitë kineze “Power China,” “GeZhouBa” dhe “Norinco” që janë interesuar, qeveria i ka gënjyer dhe nuk i ka njoftuar me kohë për këtë tender, madje u ka thënë që të largohen,” tha Selenica.
“Ndërsa turqit kanë pasur mbi 1 vit kohë që ta vlerësojnë këtë projekt dhe nga një investim gjigand për Skavicën 485m me rezervuar ujor 7 miliardë m3, me 400MW fuqi [të instaluar], me prodhim 2 milionë GWh në vit dhe 1 miliardë euro investim, e katandisën tek ‘Katundi i Ri’ me rezervuar ujor 580 herë më të vogël dhe me 10% të prodhimit të ‘Skavicës së madhe,” shtoi ai.
E pyetur nga BIRN, ministria e Energjisë nuk komentoi nëse ka pasur propozime të tjera për projektin e Skavicës, përveç propozimit të pakërkuar nga “Suzer” dhe “Nurol.” Gjithashtu, zyra e kryeministrit Edi Rama nuk iu përgjigj pyetjeve specifike mbi ofertat e kinezëve dhe akuzave të Selenicës.
Frikë nga përmbytjet
Më 21 shkurt, ministria e Energjisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me bashkinë e Dibrës organizoi takimin e parë konsultativ në formën e dëgjesës publike mbi ndërtimin e “HEC Katund i Ri”.
Takimi u zhvillua në një klasë shkolle në fshatin Katund i Ri – aty ku do ndërtohet diga e hidrocentralit, por që nuk përmbytet asnjë pëllëmbë tokë – ku zëvendësministri Ilir Bejtja informoi qytetarët në lidhje me projekt-idenë për ndërtimin e hidrocentralit të Katundit të Ri, çfarë parashikon ky investim prej mbi 100 milionë eurosh dhe impakti ekonomik që do të ketë në zonë.
“Kemi parë të gjitha mundësitë se si mund të zhvillohet nga pikëpamja energjitike pjesa e sipërme e Drinit përmbi Fierzë. Nga të gjitha, i vetmi segment që na ka rezultuar i mundshëm për t’u bërë me shumë pak dëme, por me përfitime për zonën si në punësim, ashtu edhe nga pikëpamja e balancimit të energjisë, furnizimit me cilësinë e duhur të energjisë elektrike është Katundi i Ri,” citohet të ketë thënë Bejtja në një deklaratë të shpërndarë nga zyra e shtypit e Ministrisë.
Në fshatin Podgorcë, një nga pesë fshatrat e zonës së Dibrës që ndryshe nga Katundi i Ri pritet të preken nga përmbytjet prej ndërtimit të hidrocentralit, banorët janë të nervozë.
“Në takimin me banorët nuk kanë nxjerrë zërat kundër, por thjesht thanë [se] mendohet të krijohet hidrocentrali për përfitim kombëtar,” thotë Shaban Beça.
Nga 50 familje që ka ky fshat, 12 shtëpi dhe tokat e punueshme të shumicës së fshatit pritet të përmbyten nga projekti gjigand energjetik.
“Flitet për 1,500 lekë të vjetra metri katror. Ne nuk jemi dakord. Ku do të shkojmë ne? Ku do të hamë? Ç´vlerë ka kompesimi,” pyet Osman Dani, një tjetër banor i këtij fshati.
“Le të marrë tokën me koncension shteti, sikurse jep edhe koncension,” shtoi Dani, duke nënvizuar që të vetmin informacion e ka marrë nga televizioni.
Për shkak se Shqipëria nuk ka politika të shpërnguljes së detyruar të qytetarëve që preken nga projekte në interes publik, Zef Preçi propozon që Banka Botërore të bëhet pjesë e financimit të HEC-it “Katund i Ri.”
“Nëqoftëse investimi do të kryhej me paratë e Bankës Botërore, procesi i shpronësimit kryhet me principet e Bankës Botërore, ç’ka do të thotë që respektohet kushtetuta për një kompensim të drejtë, të ndershëm dhe bazuar në mekanizmat e tregut,” tha Preçi.
“Marrja në këtë rast e një kredie të butë lehtëson shumë pozitën e fshatarëve që afektohen nga procesi i shpronësimit, ndërsa ofrimi tek një firmë private është më keq se sa ta bëjë vetë qeveria, pasi çmimi që ajo ofron është shumë i ulët,” shtoi ai.
Gradeci është një tjetër fshat i kësaj zone që pritet të preket nga përmbytjet e hidrocentralit. Banorët janë gjithashtu të shqetësuar aty dhe shprehen se kanë pak informacion për projektin.
“Askush nuk ka ardhur të na informojë. Asnjë lloj informacioni nuk kam se ku do strehohemi. Asnjë takim, asnjë informim, as nga pusheti vendor, as nga ai qendror,” thotë kryetari i fshatit, Dilaver Elezi.
“Ne të gjithë jemi të shqetësuar për ndërtimin e HEC-it të Katundit të Ri. Ne duhet të lëvizim prej këtu. Banorët nuk janë të mendimit për të lëvizur. Kanë dhënë edhe firma në peticion, kundër ndërtimit të hidrocentralit,” shtoi ai.
Nazmi Idrizi, një burrë tradicional dibran është kreu i shoqatës për “Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi.”
Përveç protestave që kanë nisur që në muajin shkurt, peticioneve të nënshkruara në kundërshtim me ndërtimin e projekteve energjetike Skavicë dhe Katund i Ri, shoqata e drejtuar nga Idrizi ka më shumë se një dekadë që kundërshton procedurat e ndjekura nga qeveria shqiptare për dhënien me koncension të hidrocentraleve në lumin Drin i Zi
“Zv. ministri erdhi fshehurazi në takim, ka ardhur dhe dy herë të tjera mbrapa dhe është regjistruar me televizione pa dijeninë tonë,” ankohet Idrizi. “Gjithkush hesht. A nuk kemi të drejtë ne të gjykojmë si popull, se po merremi nëpër këmbë, pa u pyetur e pa diskutuar për asgjë,” shtoi ai.
Përsa i përket konsultimeve me banorët, ministria e Energjisë dhe Industrisë i tha BIRN se bazuar mbi ligjin për “Koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat,” në fazën aktuale të identifikimit të ofertës së pakërkuar dhe hapjes së garës, ministria nuk ka një detyrim për kryerjen e konsultave me komunitetin lokal.
“Sipas ligjit, këtë detyrim e ka kompania e cila do të rezultojë fituese e garës. Është kompania ajo e cila përpara se të aplikojë tek institucionet përkatëse për marrjen e lejes mjedisore e më pas lejes së ndërtimit duhet të konsultojë banorët,” tha zëdhënësi i MEI-t, Dardan Malaj.
Pavarësisht kësaj, Malaj shtoi se mbështetur në legjislacionin për informimin publik, me nismën e saj ministria e Energjisë dhe Industrisë në bashkëpunim me bashkinë e Dibrës ka ndërmarrë një fushatë informimi për qytetarët e zonës.
“Më datën 20 Shkurt 2016, në njësinë administrative Luzni (fshati që preket më shumë nga projekt propozimi i miratuar me bonus), është mbajtur një takim konsultativ me banorët në të cilën morën pjesë perfaqësues të ministrisë së Energjisë dhe Industrisë si dhe të ministrisë së Mjedisit në bashkëpunim me bashkinë Dibër,” tha Malaj.
“Banorët pjesëmarrës në takim vinin jo vetëm nga fshati Luzni, por edhe nga shumë fshatra të tjerë,” nënvizoi ai.
Megjithë përpjekjet e qeverisë për t’i bindur për rëndësinë e projektit, dibranët mbeten skeptikë dhe dyshues për ndikimin që hidrocentrali do të ketë mbi zonën.
Një prej anëtarëve të shoqatës për “Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi”, Murat Kolkreta, shprehet se nga ndërtimi i hidrocentralit nuk do të preken vetëm banorët që do t’u përmbyten tokat dhe pronat, por e gjithë Dibra.
“Në të dy anët e liqenit, në perëndim dhe në lindje, në gjatësinë 2 km majtas edhe djathtas, ndikimet në ndryshimet e faktorëve klimaterikë, që sot janë në unitet me njëri-tjetrin dhe prodhojnë këto që prodhojmë ne në Dibër, prishen,” tha ai.
“Detyrimisht dibranët detyrohen të ikin. Pra boshatiset Dibra. Dibrës i mbetet vetëm një varg malor në perëndim, një varg malor në lindje dhe ca kodra joproduktive,” shtoi Kolkreta.
Përveç rreziqeve që mund të vijnë nga ndryshimi klimës, Kolkreta është gjithashtu i shqetësuar për ndikimin e HEC-it në vlerat historike, kulturore dhe arkeologjike të zonës.
” Nuk duhet nënverësuar trashëgimia shumë e madhe historike, fatkeqësisht e pastudiuar e kësaj treve,” thotë ai, duke nënvizuar se në luginën e Drinit të Zi është dokumentuar jeta që në neolitin e hershëm dhe janë disa qytete që përfaqësojnë qytetërimin Ilir.
Sipas tij, pas ndërtimit të hidrocentralit, qyteti Ilir i Gradecit – i fortifikuar me pesë mure rrethues – do të zhduket përfundimisht nga harta.
“Kjo trashëgimi kaq e pasur nuk duhet të bëhet kurban i një vepre,” përfundoi Kolkreta.
Kryetarit i fshatit Gradec, Dilaver Elezi thotë se tradita e zonës shkruan që toka shitet dhe nuk blihet. Elezi shprehet se me atë pak informacion që ka, pret që shpronësimet të “jenë të hidhura.”
” Ne do mundohemi të vijojmë me protesta, do ikim në Tiranë, do takojmë drejtues, mund të bëhemi edhe kamikazë për të mbrojtur pronën,” tha ai.
Kreu i shoqatës për “Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi,” Nazmi Idrizi është i një mendjeje kur thotë se dibranët do të rezistojnë me çdo formë, në qoftëse shpronësimet do jenë të padrejta.
“Unë do t’i dal zot truallit të trashëguar nga babai im,” paralajmëroi ai.