Një ditë pas atentatit të tipit mafioz në Elbasan, ku u plagosën dy persona, policia nuk ka asnjë të dyshuar. Në përpjekje për të zbardhur ngjarjen policia iu ka shtrirë dorën qytetarëve. Kush jep informacion për autorin do të marrë një shpërblim prej 20 mijë euro.
Mëngjesin e ditës së djeshme, rreth orës 10:00, në një nga zonat më të populluara të Elbasanit, në rrugën “28 Nëntori” një person i armatosur hapi zjarr me breshëri automatiku ndaj një makinë ku ishin Florenc Capja dhe Bledar Muça. Plumbat plagosën lehtë Bledar Muçën dhe një efektive policie që ishte duke kaluar aty rastësisht.
Ndërkohë policia e Elbasanit ka siguruar portretin e njeriut të ulur në një nga lokalet ku ndodhi ngjarja. Autori ishte i veshur me rroba kamuflazhi, me kapele. Sapo makina tip “Ford”kaloi në rrugën “28 Nëntori”, ai ngrihet nga kafja dhe qëlloi me breshëri kallashnikovi.
Makina u godit në pjesën e parme, por xhami ishte i blinduar. 20 metra larg vendit të ngjarjes, policia gjeti armën e atentatorit, i cili arriti të fshihej përmes rrugicave.