Si asnjëherë më parë, një ngjarje e madhe futbolli, si Kampionati Evropian i Francës, do të shquhet për më së shumti futbollistë shqiptarë pjesëmarrës Euro 2016, është i veçantë për shumëçka, duke nisur nga formati e numri i ekipeve pjesëmarrëse në finalet e Evropianit, e debutimin e Shqipërisë, që për herë të parë merr pjesë në garën më të madhe të futbollit evropian.
Gianni de Biasi, përzgjedhësi i Shqipërisë, ka ftuar me vete 23 futbollistë, pra një ekip me futbollistë shqiptarë, që përfaqësojnë shqiptarët anembanë botës dhe që është numri më i madh ndonjëherë i futbollistëve shqiptarë.
Në 14 kampionatet e tjera evropiane, numri më i madh i futbollistëve shqiptarë ka qenë vetëm 2, por kësaj radhe është shumë më i madh. Por futbollistët e kombëtares shqiptare nuk do të jenë të vetmit në Evropian.
Në Francë, do të jenë gjithsej 30 futbollistë shqiptarë dhe me prejardhje shqiptare, të cilët do të luajnë për tri kombëtare. Përveç 23 futbollistëve të kombëtares shqiptare, në Francë janë edhe shtatë futbollistë të tjerë shqiptarë. 6 me Zvicrën dhe 1 me Gjermaninë.
Përzgjedhësi i Zvicrës, Vlladimir Petkoviç ka ftuar 6 futbollistë shqiptarë: Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemajli, Admir Mehmedin dhe Shani Tarashaj. Përveç Behramit, që është edhe zëvendës kapiten i Zvicrës, të gjithë futbollistët e tjerë shqiptarë, debutojnë në Evropian.
E debutues, do të jetë edhe Shkodran Mustafi, futbollisti nga Gostivari, që do të luajë në finalet e Evropianit me kombëtaren e Gjermanisë. Pas botërorit, Euro 2016 në Francë, do të jetë ngjarja tjetër e madhe që merr pjesë Mustafi, tashmë kampion i botës. 30 është numri më i madh i pjesëmarrësve në një Evropian, që kur organizohet gara, që nga vitit 1960.
Futbollisti i parë shqiptar në EURO, ishte Milaim Rama, në Evropianin e Portugalisë më 2004, i ftuar nga Zvicra. Sulmuesi kosovar Rama, luajti vetëm në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, duke u inkuadruar në minutën e 85-të, kundër Francës.
Katër vjet më pas, në Evropianin në Zvicër e Austri, ishin dy futbollistë shqiptarë. Me Zvicrën, Valon Behrami, i cili luajti në tri ndeshjet e fazës së grupeve, por që helvetikët nuk arritën të kalonin grupin. Ndërsa me Austrinë, ishte mbrojtësi nga Tirana, Ronald Gërçaliu, i cili luajti në vetëm një ndeshje, në fazën e grupeve kundër Kroacisë.
Në evropianin e vitit 2012 në Poloni dhe Ukrainë, ishte vetëm një futbollist shqiptar, sulmuesi Emir Bajrami i ftuar për Suedinë. Bajrami, ka luajtur vetëm një ndeshje, atë të fundit në fazën e grupeve kundër Francës, për 45 minuta