Nga Dritan Laci
Filloi dhe mbaroi ashtu siç u krijua dhe u amplifikua vetë personazhi i tij: butaforik, anadollak, në plotë kuptimin e fjalës pa sqimë: siç ishte edhe vetë e folura dhe e ecura e tij publike; tipike e një arroganti marsupial, ku naiviteti shpesh se lejonte të shikonte poshtë atij kërcimi, ku gjithmonë qëndronte një pedanë me dërrasë të kalbur, që do të shënonte edhe fundin e tij të pashmangshëm.
Kështu lindi dhe u rrëzua miti i Elvis apo Ervin Rroshit, Mayor-it të Kavajës, siç ai pëlqente ta quante me mburrësi veten, i cili nga sot ka pranuar të mos jetë të mos jetë më Bashkiak i parë i këtij qyteti.
Pranesë apo shtrëngesë për ta lënë zyrën si kryebashkiak, të cilën akoma s’ja dimë të vërtetën, por ku ajo që dimë është se nga sot do të kemi një personazh më pak publik, që do të na mungojë thellësisht me bëmat e tij.
Bëma që ca edhe për fatin e tij të mbrapshtë, shpesh edhe kur nuk i kërkonte e kërkonin, si ta përndiqte nga pas mallkimi i shumë paudhësive në jetë, ku ca i tregoi vetë, ca e detyruan ti tregonte dhe ca të tjera ndoshta me perëndimin e tij si bashkiak i Kavajës nuk do ti mësojmë kurrë.
Një karrierë e mbirë nga hiçi, e shtatshkurtrit që u bë vigan duke fituar për herë në një bastion historikisht të djathtë si Kavaja, por që shpejt do të pasohej nga histori me skena horror për të vazhduar më tej në dosje penale, ku të majtët që e mbollën si personazh e shfaqnin si hero, ndërsa të djathët e anatemonin si horr.
Histori që nisën të kulmonin atë 31 maj të vitit 2011, vetëm pak kohë pasi ishte zgjedhur për herë të parë si kryetar i Bashkisë Kavajë, pikërisht si sot pesë vite më parë, kur një ngjarje e rëndë që përfshiu bashkëshorten e tij, jo vetëm që tronditi opinionin publik, por futi në sherr edhe politikën e ditës.
Ku Griselda Roshi, bashkëshortja e Elvisit asëkohe, u gjet e flakur pranë banesës së saj, ndërsa tha se ishte rrëmbyer nga disa persona, të cilët e kishin dhunuar duke e detyruar të lindte para kohe fëmijën që kishte në bark, të cilin më pas ja kishin grabitur.
Një skenë e denjë për filmat e Alfred Hitchcock, por që shpejt u pranua se ishte një sajesë e vetë e zonjës së parë të Kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë së Kavajës.
Ndërkohë që të majtët, në atë kohë në opozitë, nuk nguruan ta kapnin prej bishti zogun që u ra në duar dhe ta përdornin politikisht, duke akuzuar të djathtën (atë kohë në pushtet) si të lidhur me krimin.
Aq sa edhe sot është e famshme letra që Erion Veliaj, sot kryetar i Bashkisë së Tiranës, i dërgoi atë kohë Parlamentarëve Evropianë ku i informonte për këtë ngjarje “horror”, e cila sipas tij lidhej kryekëput me fitimin e zgjedhjeve nga ana e Elvis Rroshit në bastionin e të djathtëve.
Letër e cila thuhet se vuri në siklet të madh edhe vetë Ramën, pasi mësoi të vërtetën ndryshe.
Ku ndërsa Elvisi u tregua burrë dhe kërkoi ndjesë për shqetësimin publik që kishte krijuar kjo ngjarje, Erjoni nuk e pa të udhës ta bënte diçka të tillë.
Pasi vetëm dy ditë më pas gjithçka rezultoi të ishte një bllof i madh.
Griselda pranoi se e kishte inskenuar vetë të gjithë ngjarjen.
Skenar i cili nga tragjik mori përmasa komike, pasi kryetari i Bashkisë edhe pse flinte në një shtrat nuk e dinte se çfarë kishte në barkun e zonjës së tij, e cila pranoi po ashtu se nuk kishte qenë asnjëherë shtatzënë.
Kjo ishte ndjesa e fundit e Elvisit apo siç do të dilte shpejt Ervin Roshit.
Pasi thesi i bëmave që do ta pasonin sapo ishte hapur.
Një ngjarje me tipare banale në mars të vitit 2013 e ndodhur në brendësi të stadiumit të Besës së Kavajës, e ktheu edhe njëherë në vëmendje bashkiakun problematik të Kavajës.
Në përfundim të ndeshjes Besa-Tirana ai futet në dhomat e zhveshjes dhe godet trajnerin e atëkohshëm të Tiranës, Nevil Dede, pa e ditur se ky episod e kishte vendosur përfundimisht në qendër të një cikloni të pambarimtë që do ti rikthente herë pas here si kamzhik fshikullues për mandatin e tij, të shkuarën aspak të lavdishme si keqbërës.
Partia Demokratike nuk do tja kursente të shkuarën e errët.
Ca edhe për atë humbje historike që Rroshi u kishte shkaktuar pikërisht në bastionin e tyre historik.
Ku papritur Elvisi nuk ishte më Elvis, por një Ervin që edhe babai i tij biologjik nuk do të guxonte ta thërriste publikisht me emrin që e kishte gëzuar kërthi.
Një ndryshim në gjeneralite i dyshimtë që solli investigimin e së kaluarës ku shpejt do të dilnin edhe të palarat e para, që Elvisi Ervin kishte shënuar në shtetet e huaja.
Akuza të rënda që përfshin vepra penale, si rrahje, plagosje me armë zjarri, përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike etj.
Një Elvis apo Ervin që kërkonte të mbrohej duke thënë se jam i pafajshëm.
Herë duke bërë arrogantin me kostum, herë të fortin e lagjies duke zbuluar shenja të një gjuhe sigurisht jo të mësuar në shkollë.
Herë naivin, herë provincialin që nuk e zhvishte dot nga lëkura.
Ashtu si në zgjedhjet e fundit bashkiake, ku nervat dhe mbrojtja që i dha kryeministri Rama, ja lëshuan frerët e gjuhës.
Një Rrosh i cili kërcente në tribunë herë si kodosh e herë si kaposh.
Një Rrosh që Partia Socialiste e kishte përdorur si kavie në një eksperiment të vlefshëm në vitin 2011.
Një Rrosh i cili pas suksesit në vitin 2011, do të eksperimentohej suksesshëm në zgjedhjet elektorale të vitit 2013, ku Parlamenti u mbush me banditë pa shkollë,
Për tu pasuar më pas nga “Rroshë” të tjerë të cilët do të mbushnin dhe do të zgjidheshin bashkiakë në vitin 2015, gjithmonë në siglën e Rilindjes.
Një Rrosh që hiqej sa naiv aq edhe “vuante” nga demenca.
Ku pranonte se ishte ndaluar në Gjermani, por çuditërisht se dinte përse e kishin ndaluar.
Ku sërish ai që e mbronte ishte protektori i tij Rama i cili i jepte mbrojtjen e duhur politike.
Ashtu si kur kërcënoi në një rast të paprecedentë deputetin Ben Blushi, pikërisht të Partisë që e mandatoi në zgjedhjet për bashkiak, vetëm e vetëm se ky i fundit artikuloi akuzat e tmerrshme që rëndojnë mbi Elvis apo Ervin Rroshin.
Ku edhe këtu u mbrojt nga heshtja e kryeministrit, i cili ndërsa Ben Blushi i lexonte nga foltorja mesazhin kërcënues të Elvis Ervin Rroshit, Rama gjente rastin pas shpinës të përtypej duke injoruar deputetin e tij.
Dhe për të ardhur në aktin final, pikërisht në vitin e pestë si kryebashkiak i Kavajës, ku Roshi i lodhur, i detyruar, apo i shtrënguar, nga vetvetja apo nga dikush tjetër, vendos të na surprizojë, duke dhënë dorëheqjen.
Këtë herë duke u vetëgroposur pa shpëtim.
Duke bërë publike edhe një tjetër vendim, që sipas tij nuk ishte në dijeninë e tij: atë një dënimi të marrë në vitin 1995 në Itali.
Një dorëheqje që mund të shpëtojë Rroshin nga sikleti ku kishte rënë, por jo Ramën.
A e nxorri vetë Rroshi këtë vendim, a ja nxorrën për ta hequr qafe, kjo pritet të zbardhet.
Ajo që sot meriton një analizë të thellë, është si lindi ky personazh?
Kujt ju desh një personazh i tillë, që në fund të fundit nuk dihet nëse e ka përfunduar apo jo arsimin e mesëm?
Për ç’qëllime u përdor një personazh i tillë?
Si është e mundur që një kryeministër si Rama i cili vlerësohet për estetikën e tij, të zgjedhë estetikisht një qënie që i mungon edhe kurimi më minimal në publik?
A e dinte z. Rama të shkuarën e errët të Rroshit të tij?
A e përdori të shkuarën e errët të Rroshit të tij për qëllime përfitimi politik?
A mund të justifikohet kryeministri Rama me mosdijeninë e kësaj të shkuare?
A ishte Rroshi dhe shumë Rroshë të tjerë fytyra e vërtetë e ndryshimit që na u shit si Rilindja e Shqipërisë?!!!!
Këto janë vetëm disa prej shumë pyetjeve që kanë vënë në pikëpyetje Rilindjen e Ramës.
A shënon ikja e Rroshit, fillimin e fundit të Rroshave, Kokoshëve, Kaposhëve, Kodoshave, Kokëboshëve e shumë Osh-ëve të tjerë banditë në krye të punëve të këtij vendi?
Kjo mbetet për tu parë….