Disa foto të publikuara në rrjetet sociale ngjallën habinë e qytetarëve.
Bëhet fjalë për arkivol të hapur që gjenden të hedhur pranë varrezave, e në rastin konkret qytetari i kishte hasur në Tufinë (periferi të Tiranës) ku kishte shkuar pranë varrit të gjyshes së tij të ndarë nga jeta.
Në fakt, Express u interesua për këtë situatë, dhe ajo çka mësohet është një detaj interesant.
Arkivolet hidhen prej besimtarëve muslimanë, të cilët të afërmit e tyre nuk i varrosin me arkivol, por me qefinë, një mbështjellë e bardhë në të gjithë trupin e të ndjerit, përfshirë edhe kokën. Trupi i pajetë me qefinë nuk vendoset direkt në dhe, por në disa dërrasa dhe duhet të jetë i kthyer me fytyrë nga Qabeja- vendi i shenjtë i fesë islame që ndodhet në Mekë.
Trupi përcillet me arkivol nga banesa deri tek varrezat, e me kryerjen e lutjes sipas traditës së këtij besimi, trupi nxirret prej arkivolit. Për muslimanët e shumtë që ndodhen në Shqipëri të shohësh arkivole pranë varrezave është fare e zakontë, por nga qytetarët në rrjetet sociale u përcoll me mjaft habi.