Jani Alia është identifikuar nga Policia e Tiranës si autor i vrasjes së Elton Çiços në muajin maj të këtij viti, ngjarje e ndodhur një lokal pranë stadiumit Dinamo në Tiranë.
Ai është shpallur në kërkim dhe ka një shpërblim prej 5 milionë Lekë të vjetra për këdo që jep informacione për vendndodhjen e tij. Por, si ka nisur konflikti mes Aliajt dhe Çiços.
Gazeta “Panorama” shkruan sot se shkak ka qenë një vrasje e ndodhur në vitin 2000 në Greqi. Jani Alia vrau me thikë 20-vjeçarin E.Ballazhiu nga Tepelena. Viktima ishte shoku i fëmijërisë së Elton Çiços. Ky i fundit u interesua për vrasjen dhe kush ishte autori. Pasi mësoi se Jani Alia ishte vrasësi i shokut të tij të fëmijërisë, i dërgoi fjalë në burg se do të merrte hak.
Alia u kap në Greqi për vrasjen e bërë dhe u dënua me 18 vite burg. Disa kohë më vonë, po në Greqi kapet edhe Elton Çiça dhe dënohet me 5 vite burg për trafik droge. Të dy rastisën të ishin në të njëjtin burg, atë të Koridhalos. Gjatë qëndrimit aty, patën edhe një përleshje në dhomën e ajrit, ku Çiça plagosi me armë Aliajn.
Pasi kishte kryer 10 vite burg, Jani Alia mori leje dhe pasi doli nuk u kthye më dhe ishte shpallur në kërkim nga policia greke. Pak kohë më vonë, Elton Çiça përfundoi dënimin e tij. Më pas, hakmarrja mes tyre vazhdoi në Shqipëri, ku u pasua me dy plagosje të Jani Alisë, njëherë në Tiranë dhe më pas në Gjirokastër.
Të dyja këto ngjarje ndodhën gjatë këtij viti. Për të mbërritur në muajin maj, kur Alia shkoi në lokalin ku ndodhej Çiça dhe e qëlloi me dy plumba pistolete në kokë.