Një shpërthim tritoli ka ndodhur në HEC-in e Gjegjanit në Pukë gjatë orëve të natës, duke shkaktuar dëme të shumta materiale. Dëmet llogariten në vlerën e 3 milionë eurove.
Dy autorët e maskuar kanë kapur rojen e HEC-it dhe e kanë lidhur 600 metra larg vendit ku vendosën tritolin. Nga të dhënat paraprake mesohet se nga shpërthimi janë shkatërruar 3 turbinat e hidrocentralit.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe grupi hetimor i cili ka nisur punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes.
Paraprakisht mendohet se akti kriminal mund të ketë ndodhur për shkak të konfliktit me banorët e zonës për ujin dhe lënda shpërthyese është vendosur për hakmarrje.
Banorët e Gjegjanit kanë patur pretendime se hidrocentrali u merrte ujin për vaditje ndërsa ishin në konflikt me përfaqësuesit e HEC- it. Aktualisht hidrocentrali nuk ishte në punë për shkak të mungesës së ujit.
Pas konflikteve bashkia e Pukës kishte vendosur pezullimin e punimeve të HEC- it deri në sqarimin e plotë të situates së ujit në mes banorëve dhe firmës koncesionare që shfrytëzon HEC- in. Ndërsa po hetohet edhe pista e hakmarrjes pas largimit nga puna të disa punonjësve, të cilët mund të kenë vendosur lëndën plasëse, pas pushimit të tyre nga puna.
Policia vijon hetimet për të identifikuar dhe arrestuar autorët.
Njoftimi zyrtar i policisë
Informacion Paraprak. Më datë 25.05.2016 ora 02:30, në fshatin Gjegjan Bashkia Pukë, pranë Hidrocentralit me pronar, shtetasi me iniciale, S.L, kanë vendosur eksploziv. Persona të dëmtuar nuk ka , vetëm dëme materiale. Në vendin e ngjarjes ndodhen forcat e policisë dhe grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e rrethana e të kësaj ngjarje. Në përfundim do të jepet informacion i plotë për këtë ngjarje.