Kreu i repartit mjeko-ligjor dhe Ministria e Drejtësisë në Egjipt kanë hedhur poshtë raportet paraprake që aludonin se rrëzimi i avionit të linjës EgyptAir ka ardhur si pasojë e një shpërthimi në bord.
Kreu i ekspertizës mjeko-ligjore Hesham Abdelhamid deklaroi se teoritë e një shpërthimi duke u bazuar në mbetjet e trupave, janë krejtësisht të pavërteta.
“Çdo fjalë që është publikuar është mashtrim dhe absolutisht nuk është bazuar në raportin mjeko-ligjor”, u shpreh Abdelhamid, raporton express.
Në fakt ishte një nga ekspertët mjeko-ligjor ai i cili më parë theksoi se duke vëzhguar mbetjet e trupave, mund të arrihet edhe në konkluzionin se ka pasur një shpërthim në bord, megjithëse ai nënvizoi se ekspertiza nuk kish gjetur asnjë shenjë që të dërgon drejt këtij përfundimi. Ministria e Jashtme greke deklaroi pak ditë më parë se avioni kreu disa rrotullime dhe devijime përpara se të përplasej, por autoritetet egjiptiane e kanë mohuar këtë version, ndërsa kutia e zezë është gjetur dhe do t’i nënshtrohet analizave të detajuara.
Avioni i linjës EgyptAir, u rrëzua në Detin Mesdhe të enjten, teksa po udhëtonte nga Parisi për në Kajro, pak minuta pasi kish hyrë në hapësirën ajrore egjiptiane. Të 66 personat që ndodheshin në bord së bashku me ekuipazhin humbën jetën në këtë ngjarje të rëndë.