Deputetja e PS-së, Mimoza Hafizi ka mbrojtur nga foltorja e Kuvendit, deputetin Ben Blushi, duke thënë se kryeministri u fsheh pas Berishës për të mos parë në sy, një deputet i cili u kërcënua nga kryebashkiaku i Kavajës.
Në fjalën e saj në Kuvend, Hafizi tha se ka raste kur shteti administrohet nga persona të cilët janë me të shkuar apo me të tashme të dhunshme, duke përmendur këtu edhe rastin e ish-kryebashkiakut të Dibrës, Shukri Xhelili.
“Është e njëjta kjo, fytyra e shtetit tonë që funksionon vetëm për të fortin. Në fakt ligjet njerëzimi i ka ngritur për të kundërtën e kësaj, për të mbrojtur të dobëtin nga i forti.
Mendoj se nuk mund të ndodhë ndryshe nëse shteti administrohet nga njerëz me të shkuar e të tashme të dhunshme, nga pushtetarë, siç kemi rastin e kryebashkiakut të Kavajës, i cili as nuk e di pse është i inkriminuar as nuk e di se cili është emri i vet.
Guxon të kërcënojë një deputet dhe në fund guxon të kërkojë edhe një ndjesë të tipit rilindës, një ndjesë të tipit njëlloj sikurse shefi i vet kërkonte ndjesë për shkeljet në parti dhe vazhdonte me të njëjtin kënaqësi të shkelte statutin e partisë”, tha Hafizi.