Jemi mësuar ta shikojmë çdo të shtunë në mbrëmje në orën 20.05 në ekranin e Tv Klan ndërsa na informon me emisionin e saj “Jo vetëm modë’ për të rejat më të fundit nga stili i jetesës në Shqipëri dhe më gjerë.
Po kështu e kemi parë shpesh të jetë pjesë e rëndësishme e kopertinave të revistave dhe reklamave publicitare, ku sharmi e ka kthyer në një nga ikonat më të pëlqyera të publikut. Por ja ku tani kemi edhe një tjetër befasi që na vjen nga bukuroshja Floriana Garo. E cila na vjen një portret sa miklues aq edhe origjinal, punuar nga artisti pamor Buron Kaceli.
Një vepër e vlerësueshme për nga ngjyrat, plasticiteti dhe shkrirja e linjave. Ku padyshim një rol thelbësor në meritën për ti dhënë tonusin e duhur portretit, është zgjedhur si një gjetje e zgjuar qoftë nga piktori ashtu edhe nga personazhi, fustani stil couture i stilistes Ema Savahl, ku dallojnë lulet e punuara në dekoltenë e hapur, çka i japin potretit më shumë liri dhe klasicizëm të dëshiruar.
Vetë Floriana thotë se ka qenë shumë e kënaqur nga bashkëpunimi me piktorin Buron Kaceli. Asaj i është dashur orë e orë të tëra për të mundur padurimin, por ndërsa shikon këtë vepër mendon se ka vlejtur e gjithë koha e shpenzuar.
“Ai ka qenë jashtëzakonisht i përkushtuar dhe nuk e lëshonte po të mos ishte 100 për qind i kënaqur. Më janë dashur orë të tëra në fakt për të qëndruar përpara penelit, por tani ndihem me të vërtetë shumë mirë kur shikoj portretin tim të portretizuar nga piktori Kaceli”
Vetë piktori Buron Kaceli në një bisedë mbi portretin thotë se është ndjerë shumë komod me prezencën e Florianës në punën e tij.
“Floriana erdhi në atelienë time pas sugjerimit që i kishte bërë një mikesha e saj. Ky portret është bërë në disa seanca të cilat kanë pasur orët e tyre të nevojshme për tu konturuar.”
Po përse një përzgjedhje e tillë nga ana e piktorit Kacelit?
“Florianën unë e kisha parë disa herë në daljet e saj televizive. Përzgjedhja nuk është edhe aq rastësore. Është një figurë publike, ka një portret të bukur, kisha krijuar edhe një simpati ndërsa e shikoja, dhe sigurisht që për një artist kjo është intriguese për ta kthyer në një vepër arti”
Po çfarë gjeti te portreti i Florianës, piktori Kaceli?
“Duke e parë nga afër, përveç simpatisë që kisha krijuar, kuptova që është një vajzë inteligjente, me një botë të brendshme të pasur. Këto janë shumë të nevojshme në ndërtimin e një karakteri, flas për punimin e një portreti. Dhe Floriana ka edhe diçka që duhet ta theksoj, që ka një inteligjencë që nuk të le indiferent. Për mua kjo është një nga veprat më të mira që kam bërë”
Por si ka qenë ky bashkëpunim i artistit pamor Buron Kaceli me bukuroshen Garo?
A ka qenë Floriana aq e gatshme sa të pranojë tekat e një piktori i cili lëminë e tij në artin pamor e ka të shtrirë kryesisht në lëvrimin e portretit?
“Unë kam një veti si artist. Unë nuk e lej portretin të ngrirë. Duke qenë se jam një piktor që punoj dhe kam punuar shumë me portretin, unë komunikoj me personazhin tim. Kështu kam bërë edhe me Florianën. Gjatë kohës që zhvilloja portretin kemi biseduar, për të kuptuar edhe më mirë botën e brendshme të portretit tim. Ndaj mendoj që ka qenë një eksperiencë shumë e bukur”
Por cila do të jetë surpriza e radhës e Floriana Garos pas këtij portreti?
Këtë ende se dimë, por e vetmja gjë që dimë është se duke qenë se është një personazh tejet kërkues, befasitë nuk do të mungojnë.
Do të na i thotë vetë? Duhet të presim verën? Apo duhet ti zbulojmë?
Le të presim….