Mediat greke kanë publikuar sot fakte të reja lidhur me akuzat ndaj Klement Balilit, të cilësuar si baroni i trafikut të drogës apo “Escobari i Ballkanit”.
Balili, i cili deri pak ditë më parë mbante postin e Drejtorit të Transportit në Sarandë kishte krijuar kompani transporti fiktive që në fakt transportonin drogë në Evropë, ku përmes Greqisë droga shpërndahej në vende si Britania, Belgjika, Holanda, Gjermania dhe vendet skandinave.
Nga hetime e policisë greke, DEA-s dhe Europolit është zbuluar se “Escobari i Ballkanit” ka trafikuar tonelata hashash dhe dhjetëra kilogramë kokainë me anë të kamionëve të ngarkuar me mall legal, raporton panorama.
Mediat greke shkruajnë se Balili është një nga financuesit kryesorë të një partie politike në Shqipëri dhe gjithashtu thuhet se, 44-vjeccari ka miliona euro në banka, shtëpi dhe makina luksoze në të paktën 10 vende të Evropës.
Gjatë hetimeve të autoriteteve greke dhe atyre amerikane është zbuluar se Balili ishte një “person i fortë” për shkak të lidhjeve të tij me politikanë të nivelit të lartë në Shqipëri.
Duke iu referuar burimeve policore, mediat greke thonë se, 44-vjeccari është mbajtur në përgjim nga Policia Shqiptare nisur nga presion i autoriteteve amerikane dhe janë në pritje të marrjes së urdhërarrestit (që ka mbërritur të martën pasdite) nga Prokuroria për arrestimin e tij.
Për shkak të lidhjeve të tij të forta politike, autoritetet shqiptare kanë kërkuar nga kolegët e tyre grekë që të paraqesin prova bindëse në mënyrë që Balili të mos lirohej më pas për mungesë provash. Por, oficerët grekë kanë bërë të ditur se dosja e tij është e kopsitur mirë dhe ka prova të mjaftueshme për ta shpallur atë fajtor.