Shënim për shfaqjen “Një jetë me ty”, vënë në skenë në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, shkruar dhe me regji të Erion Kame.
Nga Albatros Rexhaj
Vërtetësia e rrëfimit si premisë e fuqishme dramatike
Në epokën e dominimit absolut të filmit, në mënyrë që drama të mund të gjejë pikën e ngjizjes me mendjen dhe shpirtin e publikut, një autor drame duhet që për rrëfimin e tij të gjejë doza të gjalla vërtetësie. “Një jetë me ty” e Erion Kame ka këtë element të domosdoshëm të vërtetësisë, pasi që prek në një nga pikat më neuralgjike të shtirjes kolektive të shoqërisë sonë: atë të “lumturisë bashkëshortore”!
“Çfarë është martesa?” – që në fillim, personazhet e Erionit shtrojnë këtë pyetje dhe siç rëndom ndodh në jetë, në fund të shfaqjes, në vend të përgjigjes, përsëri kemi pyetjen e bërë në fillim, sepse për të gjetur një përgjigje të saktë duhet vërtetësi jo vetëm ndaj tjetrit, por mbase edhe më shumë ndaj vetvetes.
Ka mënyra të ndryshme për ta parë, ndjerë dhe kuptuar shfaqjen e Erionit, por gjithsesi mesin e artë të të gjitha aludimeve për qëllimin e mundshëm të autorit mund ta gjejmë të avazi kolektiv i shoqërisë sonë për të shitur imazhin e të qenit (me çdo kusht) të lumtur në marrëdhënie bashkëshortore. Po i njëjti avaz riciklohet edhe në “dëshmitë” publike të VIP-ave ku të tërë promovojnë një pasqyrë ideale e të përsosur, një diçka që nuk është aspak njerëzore, sepse njerëzit, përfshirë edhe çiftet bashkëshortore, kanë ngritje dhe ulje, kanë periudha shkëlqimi, por edhe periudha kur edhe mund t’i dorëzohen shtytjeve më të ulëta, por mbi të gjitha kanë çaste kur dyshojnë në arsyeshmërinë e vendimeve të veta, sidomos të vendimeve të mëdha në jetë. Në shfaqjen “Një jetë me ty”, Erion Kame paraqet anën tjetër të medaljes prapa të rrëfimit tonë ideal për martesën: shpërfaq pra, rrëfimin njerëzor!
Rrëfimi bashkëkohor shqiptar për martesën
Secila pamje, situatë dramatike e kësaj shfaqjeje, rrëfehet nga më së paku dy pikëvështrime, një formulë intriguese që vetvetiu mbart mesazhin se nuk ekziston një e vërtetë absolute për asnjë situatë jetësore dhe se secili nga ne jo vetëm që ka, por edhe beson (mbase vetëm) të vërtetën e vet.
Vetë titulli “Një jetë me ty” bëhet intrigues që në minutat e para të shfaqjes.
Vërtet, çfarë do të thotë kjo “një jetë me dikë” apo “derisa vdekja të na ndajë”?
Apo ndoshta kur janë farkëtuar këto ide njerëzit kishin idenë e jetëgjatësisë që rrallë i kalonte të dyzetat dhe të një jete relativisht të thjeshtë dhe pa shumë sfida. Në epokën kur jetëgjatësia është dyfishuar dhe kur njerëzimi synon kualitet të jetës edhe në moshë të vonë, padyshim se ndryshon edhe ideja mbi pohimin “një jetë me ty”.
Rrëfimi i Erionit është një rrëfim bashkëkohor shqiptar, një rrëfim për shoqërinë që e deklaron veten si të emancipuar, por që vazhdon të ushqejë një koncept arkaik për martesën, po të njëjtin që martesën e shndërron në një institucion që diktohet nga një kontratë dhe jo në një fole të lumturisë, imune ndaj çdo lloj tundimi që mund të vijë nga jashtë.
“Marton një dhe fiton një tjetër”, thonë personazhet e Erionit, ndërkaq meditimi për atë se çfarë është ajo gjë që e nxit këtë transformim hap shumë korridore të reja të të menduarit që sfidojnë pohimet publike që bëjnë si VIP-at ashtu edhe vdekatarët tjerë.
“Faji” i personit të tretë?
Personazhi AJO, interpretuar nga Vilma Hodo, edhe pse një personazh rrethanor, është një personazh po aq i rëndësishëm sa edhe dy personazhet kryesore (Burri, interpretuar nga Romir Zalla dhe Gruaja, interpretuar nga Suela Bako), sepse është një personazh që brenda vetes ka një enigmë filozofike. Në bindjet arkaike, që jo rrallëherë zënë vend edhe në diskursin publik të personazheve më IN të kohës, është personi i tretë që, duke u futur në mes, prish lumturinë e një çifti. Në përshtypje të parë, shfaqja “Një jetë me ty” ushqen këtë mendim, por gjatë zbërthimit kuptojmë edhe anën tjetër të medaljes: një i tretë mund të futet në mes vetëm atëherë kur vetë çifti ka krijuar hapësirën e domosdoshme për këtë. Në një pikëvështrim të ngushtë, për të gjitha dështimet tona, është shumë më lehtë që të fajësohet tjetri, por a paraqet kjo gjë vërtet një zgjidhje të problemit apo është thjesht shprehje e paaftësisë për t’u ballafaquar me të vërtetën.
Përplasja e narracionit dramatik më atë letrar
Në tërësi të të gjithave: shfaqja – si ide, si koncept dhe si zbërthim i intrigës dramatike – ka potencialin për të nxitur shkëndija të meditimit në një rrafsh krejt personal te secili anëtar i publikut, një paralojë e domosdoshme për të synuar katarsisin shpirtërore, si reaksion fisnik ndaj shpirtit artistik të një shfaqjeje. Problemi që shtrohet dhe intriga dramatike që e shtyn rrëfimin, të bën për vete, por, siç jo rrallëherë ndodh te autorët bashkëkohorë të dramës shqipe, në disa pika të zhvillimit, rrëfimi merr nuanca të një narracioni të prozës letrare dhe kjo ndikon që vende-vende të ulet ritmi i tensionit dramatik. Kjo rrëshqitje drejt elementeve të prozës letrare krijon hapësirë për futjen e disa elementeve të tjera që tingëllojnë si moralizime të panevojshme, të deklamuara nga ana e personazheve, dhe që lënë përshtypjen e “mishit të huaj” në shfaqje.
Gjithsesi këto “ujëra të qeta” dhe këto “moralizime”, që për një sy tjetër kritik edhe mund të duken të arsyeshme, nuk e zbehin faktin se “Një jetë me ty”, në zhanrin e komedisë, futet në grupin e veprave më të kompletuara të dramaturgjisë shqiptare. Jam shumë i bindur se në laboratorin e regjisorëve të tjerë, që veprën do ta përjetonin me një distancë krejt tjetër ndaj tekstit dramatik, “Një jetë me ty”, si vepër e shkruar, mund të ofrojë edhe shumë më tepër.
(Autori është shkrimtar dhe dramaturg. Kjo analizë dramaturgjike është shkruar enkas për Opinion.al)