Një gjeneral iranian tregoi për mediat se është kërkuar ekstradimi i gruas terroriste që u arrestua pak ditë më parë në Tiranë, por qeveria shqiptare nuk pranon të bashkëpunojë. Bëhet fjalë për arrestimin e një terroristeje, lajm që u pasqyrua me bujë në mediat iraniane, por që mohohet zyrtarisht nga policia shqiptare. Komandanti i Forcave Ushtararake të Iranit, Gjenerali Hysen Ashtari i bëri thirrje Shqipërisë të ekstradojë gruan e dyshuar për shpërthimet terroriste në 1981 në Teheran, ku u vranë disa zyrtarë të lartë të Iranit.
“Shqipëria nuk është treguar bashkëpunuese pasi policia e Republikës Islamike të Iranit njoftoi për arrestimin gruas që ka marrë pjesë në vendosjen e bombës në selinë e Partisë Islamike të Republikës së Iranit” tha Ashtari për gazetarët në Teheran.
“Gruaja është mes personave të shpallur në kërkim dhe kjo i është bërë e qartë Shqipërisë dhe ne kërkojmë ekstradimin e saj në Iran” tha ai.
Ashtari tha se shpresonte që autoritetet iraniane do të ashkëpunojnë me Iranin për ekstradimin e gruas së arrestuar.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qershor të 1981, gjatë një mbledhje në selinë e Partisë Islamike të Republikës së Iranit.
73 zyrtarë të lartë mbetën të vdekur, mes të cilëve edhe kryegjyqtari Ajatollah Muhamed Beheshti, figura e dytë kryesore në vend pas Ajatollah Khomeinit. Atentati u organizua nga muxhaheidinët që aktualisht janë strehuar në Shqipëri.