Duke filluar nga muaji Janar deri në fund të vitit 2015, pranë Zyrës së Komisionerit janë depozituar 274 ankesa nga persona fizikë dhe persona juridikë lidhur me mosrespektimin dhe garantimin e së drejtës për informim, kryesisht me objekt “Refuzim dhënie informacioni dhe kopje të dokumenteve zyrtare” ndaj autoriteteve publike.
Në të shumtën e rasteve, autoritetet publike rezultojnë të mos kthejnë përgjigje kërkuesve.
Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP) bën të ditur në një raport se, nga numri total i ankesave, janë dhënë 48 vendime për pranim të objektit të ankesës, urdhërim të autoriteteve për të dhënë informacionin e kërkuar dhe rrëzim të ankesës, si dhe janë zhvilluar 2 seanca dëgjimore.
Zyra e Komisionerit ka realizuar 107 inspektime pranë autoriteteve publike me synim verifikimin e ankesave të depozituara.
Pas inspektimeve të kryera dhe dërgimit të kërkesave për parashtrim janë zgjidhur me ndërmjetësim 199 ankesa, ndërsa 5 ankesa kanë qenë të paplota, 3 ankesa janë depozituar jashtë afatit dhe 19 ankesa jashtë objektit të ligjit.