Një sherr masiv ka shpërthyer pak minuta më parë në Pogradec në përfundim të sfidës Pogradeci-Luftëtari i Gjirokastrës. Pogradecit i duhej fitorja në këtë ndeshje në mënyrë që kalonte në Superiore gjë që ska mundur ta arrijë pasi gjirokastritët kanë arritur të marrin një barazim që ju vlen për tu ngjitur në Superiore.
Skena të turpshme kanë ndodhur pas ndeshjes, teksa vendësit duke mos e përtypur këtë rezultat kanë çarë rrethimin. Civilë dhe tifozë të irrituar janë futur në fushë, duke e kthyer në arenë boksi. Përleshje masive ka pasur edhe mes futbollistëve, derisa ndërhyrja e forcave speciale ka sheshuar gjithçka. Për pesë minuta fusha ka qenë e pushtuar, në një kohë që pamjet janë transmetuar vetëm nga një kanal lokal i Gjirokastrës, i cili jepte direkt ndeshjen.
Nga burime të sigurta të “Panorama Sport”, mësohet se janë dhunuar lojtarët e Luftëtarit: Orjad Beqiri, Ardit Çunaj dhe portieri i dytë, Mihal Thano. Ndërkohë, afro 30 tifozë të Luftëtarit që kishin shoqëruar skuadrën, janë nxjerrë me shpejtësi nga stadiumi nga Forcat Speciale, menjëherë sapo përfundoi takimi. Pas këtij barazimi në Pogradec, skuadra e Haxhiut ruan vendin e parë dhe bëhet gati për festë në javën e fundit.