TIRANE– Deputetja shqiptare e parlamentit të Maqedonisë, Ermira Mehmeti ka shfaqur emocione të forta teksa fliste në një aktivitet me gratë deputete që po mbahet në parlamentin shqiptar në Tiranë.
“U dënova pa gjyq. Akoma po e vuaj atë traumë”, u shpreh ajo e emocionuar dhe me lot në sy.
Ermira Mehmeti tha se pagoi një çmim jo të vogël për betejën e saj në politikë. “Kam guxuar të flas hapur publikisht dhe me zë të lartë për nevojën për demokraci të brendshme dhe në fund duket se pagova një çmim jo të vogël. Më vunë në bankën e të akuzuarve, ndërsa askush nuk pyeti se pse ky përgjim përfshiu figurën time, njeriut, femrës, shqiptares, në një shoqëri ku shqiptarët nuk përbëjnë shumicën në institucione, të jetë pikërisht ajo që ka shkelur moralin e saj dhe të ketë një lidhje të insinuar me një ministër”, tha Mehmeti e përlotur.
Ermira Mehmeti është deputetja që u gjykua publikisht pas publikimit të një audio përgjimi erotik mes saj dhe ish-zv.kryeministrit të Maqedonisë, Musa Xhaferri. Cështja e saj është në gjykim dhe pritet që prokuroria të nxjerrë vertetësinë mbi audion intime për të cilën u akuzuan dy politikanët e BDI-së.