Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar një “triumf historik” për Partinë e tij Pëparimtare serbe të qendrës së djathtë, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke premtuar se do ta mbaj vendin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Serbia do ta vazhdojë rrugën e saj evropiane dhe ne do të mundohemi ta përshpejtojmë atë”, ka thënë Vuçiq para përkrahësve të mbledhur në selinë e partisë në Beograd, në orët e vona të 24 prillit, pas shpalljes së rezultateve paraprake.
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Serbi kanë nxjerrë fitimtare Partinë Përparimtare serbe të Vuçiç, me rreth 55 për qind të votave.
Sipas këtyre rezultateve, Partia Socialiste e Ivica Daçiçit radhitet e dyta, ndërsa radikalët e ultranacionalistit Vojisllav Sheshel, radhiten në vendin e tretë.
Ky i fundit, nuk është treguar i kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve.
“Nuk jemi të kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve, ne prisnim më shumë”, ka thënë Sheshel në orët e vona të së dielës. Ai ka shtuar se radikalët “do të tregonin se janë superior” në parlament.
Pas një fillimi të ngadaltë, ritmi i votimit të 24 prillit arriti në rreth 47.7 për qind të pjesëmarrjes në votime dy orë para mbylljes së kutive, nga 6.7 milionë qytetarë me të drejtë vote.
Pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhje pritej ta kalonte 53 për qindëshin e regjistruar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012 në Serbi.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës janë vlerësuar si të rëndësishme për orientimin politik të Serbisë. Udhëheqësit politikë të Serbisë janë ndarë mëdysh ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë.
Qeveria aktuale thotë se synon të ruajë lidhjet me Moskën, por njëkohësisht të përparojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Grupet e djathta që fajësojnë perëndimin për pavarësinë e Kosovës, kërkojnë orientimin drejt Rusisë si aleate tradicionale e Serbisë. /REL