Gjykata e Lartë ka rrëzuar përfundimisht pretendimin e një qytetari nga Durrësi për ndjekje penale ndaj tetë kryeministrave që kanë kryesuar qeveritë shqiptare pas vitit 1990, përshi edhe aktualin, Edi Rama.
Në kallëzimin e tij, Nikoll Prenga pretendonte se krerët e qeverisë ndër vite duhet të hetoheshin për “shpërdorim të detyrës”. Sipas tij, veprimet dhe mosveprimet e kryeqeveritarëve kanë qenë shkak i shkatërrimit të pasurive kombëtare dhe tragjedive materialejetësore. Përmes një vendimi të shpallur më 22 shkurt 2016, një kolegj penal i Gjykatës së Lartë nuk pranoi ankimin e kallëzuesit Nikoll Prenga.
Ai i kërkoi gjykatës të shfuqizojë vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme të datës 4 nëntor 2015, për të mos filluar procedim penal ndaj nëntë kryeministrave të kallëzuar. Në vendimin e arsyetuar, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, kolegji penal i kryesuar nga gjyqtari Admir Thanza shfaq arsyet pse nuk u lejua hetimi i kryeministrave. Pasi ka administruar provat e paraqitura në gjykim, thuhej në vendim, kolegji penal ka arritur në përfundimin se ankimi i paraqitur nga kallëzuesi Nikoll Prenga është i pambështetur në ligj dhe si i tillë nuk duhet të pranohet.
“Për sa i përket kallëzimit për veprën penale të ‘shpërdorimit të detyrës’, kolegji penal i Gjykatës së Lartë vlerëson të drejtë përfundimin e arritur nga organi i akuzës për këtë vepër, për faktin se kallëzimi penal përmban referime të përgjithshme dhe jo fakte konkrete ndaj subjekteve të renditur si të kallëzuar nga shtetasi Nikoll Prenga”, arsyetonte Gjykata. Një tjetër argument i Gjykatës së Lartë ishte fakti se kallëzimit penal të Prengës, nuk i është bashkëlidhur asnjë provë konkrete ku të mbështeten pretendimet e ngritura për veprimtari të kundërligjshme. Kolegji penal arsyetonte më tej se për disa prej të kallëzuarve, që kanë ushtruar funksionin në fillimet e viteve 1990, nuk mund të kryhej asnjë verifikim për shkak se vepra penale e kallëzuar si e kryer prej tyre është parashkruar.
Po ashtu, Gjykata e Lartë nënvizonte se për një prej të kallëzuarve, Ramiz Alinë, nuk mund të kryhen hetime për shkak se ai nuk jeton më. “Për subjektin e kallëzuar penalisht Ramiz Alia, nga ana e Prokurorisë nuk mund të kryhen hetime, për shkak se ky shtetas rezulton të ketë vdekur në vitin 2011. Vendimi i prokurorit për mosfillimin e procedimit penal nga ky kolegj në tërësi vlerësohet i ligjshëm, për shkak të kuptimit dhe të zbatimit të drejtë të ligjit material dhe procedural penal”, thuhej në vendim.
Në kallëzimin e tij, Nikoll Prenga kërkonte nxjerrjen në dritë të këtyre veprimtarive kriminale të drejtuesve të papërgjegjshëm e të inkriminuar në Republikën e Shqipërisë, që kanë shkatërruar gjithçka./Panorama