Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi thotë se Emiliano Shullazi shumë shpejt do të lihet i lirë për mungesë provash.
Patozi shkruan se, pas kësaj do të nisin akuzat për hedhje faji mes Prokurorisë dhe Policisë.
SIKUR E KAM PARA SYVE…
Astrit Patozi
Sikur e kam para syve ditën e afërt kur Emiliano Shullazi do të lirohet për mungesë provash dhe policia me prokurorinë do të nxitojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për dështimin e hetimeve. Natyrisht, unë as jam profet dhe as dua të bëj Kasandrën, por tek e fundit asgjë e keqe s’vjen prej fjalës sime. Qofsha i gabuar, por nuk e besoj dot të kundërtën.
Sepse gjithçka është rrjedhojë logjike e rrënimit dramatik të sistemit tonë, ku forca e pushtetit dhe pushteti i “të fortëve” i kanë zhdukur kufijtë prej vitesh. Madje shpesh herë, duket sikur janë e njëjta gjë, por e shprehur në trajta të ndryshme.
Dhe meqë kjo është një ngjarje e sigurt, unë vetëm një lutje kam që të mos na e shpifin më tej këtë histori. Që pasi kjo të ndodhë të mos dalë dikush pastaj e të na thotë se kjo është një arsye më shumë pse është e domosdoshme të votohet reforma në drejtësi.
Sepse kjo do të ishte e tepërt. Do të ishte njësoj me atë spotin e LSI-së, që u kërkonte shqiptarëve në fushatën e zgjedhjeve të fundit të mos e shisnin votën.