Deklarata e Kryeministrit Edi Rama, se ka ardhur koha që shkollat publike të hapin dyert për njohjen e besimeve fetare, ka shkaktuar reagime të ndryshme në radhët e përfaqësuesve të klerit në Shqipëri.
Flasin Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, Monsinjor George Frendo, Dom Gjergj Meta dhe pastor Akil Pano
Ylli Gurra: “Së fundmi, hidhet një hap për përfshirjen e një lënde fetare në sistemin arsimor, domosdoshmëri, duke marrë për bazë edhe situatat e krijuara këto kohë mbi shqetësimet tepër serioze të prodhimit të ekstremizmit të dhunshëm. Por ajo që do ta qartësojë plotësisht, pasi të ulen pjesëmarrës të Komunitetit Mysliman Shqiptar, nga Ministria e Arsimit është bisedimi se cili draft do të përzgjidhet për Shqipërinë.
Zyrtarizimi i programeve, literaturës, burimeve njerëzore ka treguar që të rinjtë dhe të rejat e mirinformuar nuk janë bërë objekt i keqpërdorimit apo abuzimit për të shkuar drejt radikalizmit apo ekstremizmit”.
George Frendo: “Mësimi i etikës është shumë i rëndësishëm për sistemin arsimor. Është diskutuar me të gjithë përfaqësuesit e besimeve kryesore fetare këtu në Shqipëri, kemi bërë disa sugjerime. Mësuesit duhet të japin edhe mësime mbi fenë, duhet të jenë shumë të përgatitur”.
Dom Gjergj Meta: “Çështja e ngritur nga Kryeministri nuk është e re. Është diskutuar edhe më parë, por sipas meje ngre pikëpyetje të shumta që kanë të bëjnë me kontekstin specifik shqiptar. Unë, për vete, do të isha shumë i kujdesshëm për një nismë të tillë në shkollat shqiptare, sepse nuk më duken kushtet e volitshme për një gjë të tillë.
Mendoj që arsimi shqiptar nuk është shkëputur ende nga danat e ateizmit militant komunist, e po ashtu religjionet mendoj, nuk janë të gatshme në Shqipëri për të ofruar, nëse u kërkohet, një partneritet në këtë çështje. Megjithatë, çështja ha debat, por jo aq sa të na lërë pa gjumë, pasi ka çështje më të rëndësishme që duhen përballur prej njerëzve që drejtojnë shtetin, apo religjionet…”
Pastor Akil Pano: “Predikuesit e ateizmit në Shqipëri, që është një grup shumë i vogël, nuk ndihen aspak të shqetësuar sepse religjioni mund të hyjë si një koncept mësimdhënie në shkollat laike, pasi nuk besoj që do të dhunojë konceptin e laicizmit në shkollë. Qeveria duhet të bëjë kujdes në përgatitjen e kurrikulave që lidhen me religjionin, duhet të merren specialistë nga komunitetet fetare”.