Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka konfirmuar se tre pjesëtarë të forcave të sigurisë janë lënduar në konfliktin me refugjatët që gjatë paradites së sotme shpërtheu në kufirin Maqedoni-Greqi.
Emigrantët nga kampi në vendkalimin kufitar Idomeni, në anën greke të kufirit, u përleshën sot me policinë e Maqedonisë, pasi më herët tentuan të çajnë gardhin e ndërtuar nga autoritetet maqedonase, për të vazhduar rrugën drejt Evropës Perëndimore.
Gjatë përpjekjes për të mbajtur emigrantët larg gardhit, policia e Maqedonisë ka përdorur gaz lotsjellës dhe shok bomba, ndërkohë që emigrantët kishin hedhur gurë në drejtim të policisë, lajmëroi Anadolu Agency.
Policët e lënduar maqedonas janë dërguar në qendrën mjekësore në Gjevgjeli.
Nga MPB-ja thonë se trazirat vazhdojnë dhe se punohet në qetësimin e situatës.
Gjatë këtij incidenti policia greke nuk ka ndërhyrë./Ekspress