Papa Françesku publikoi udhëzimet e reja përsa i përket jetës në familje dhe u shpreh se, Kisha duhet të jetë më e hapur ndaj realiteteve moderne.
“Amoris Letisia” apo “Gëzimi i Dashurisë”, quhet Nxitja Apostolike e nënshkruar nga Papa Françesku më 19 Mars.
“Thelbi i saj është mëshira dhe integrimi”,- tha Ati i Shenjtë.
Dokumenti prej 200 faqesh rendit pikëpamjet e Papës mbi jetën familjare, martesën, divorcin dhe rritjen e fëmijëve. Pikërisht divorci ishte risia më e madhe në Nxitjen Apostolike të Papës.
“Askush nuk mund të jetë i dënuar i përjetshëm, sepse kjo nuk është logjika e Ungjillit! – tha Papa Françesku duke iu referuar të divorcuarve.
Ai u bëri thirrje priftërinjëve në mbarë botën të pranojnë të divorcuarit, njerëzit që jetojnë jashtë rregullave të përcaktuara nga Kisha, si edhe të mos diskriminojnë homoseksualët.
Ati i Shenjtë tha gjithashtu se priftërinjtë duhet të jenë më të kujdësshëm ndaj “familjeve të lënduara”.