Nga Dritan Laci
Në një ditë të zezë për pasuritë e shumë politikejve nëpër botë, më në fund kemi kënaqësinë të përcjellim edhe një lajm që na bën të ndihemi mirë dhe që sigurisht që na krenon si popull.
Një lajm, që sikurse do të thoshim, na erdhi si një far ndriçues që na udhëheq nga errësira në dritë, dhe që na bën sigurisht ta shikojmë jetën më pozitivisht, sidomos pas tronditjes që po na rezervon megaskandali i “Panama Papers”.
Jo më larg se një orë më parë imazhet e një vajze të cilën ne vetë e kemi paragjykuar, më bën të mendoj se sa të padrejtë jemi në gjykimet tona, shpesh malinje.
Vajza që më futi në mendime me gjestin e saj të jashtëzakonshëm dhe kryesisht domethënës është Donjeta Kosumi, apo ndryshe siç e njohim në kulturën e tallavasë së vitheve, Kallashi, në emrin e saj të artit.
Po, po ajo dora vetë. Vajza e cila në kulmin e megaskandalit “Panama Papers”, ka vendosur ti lerë pushim vithet dhe ti kushtohet studimeve.
Dhe sigurisht që ky është një lajm fantastik, pasi të bën të mendosh që bota në vazhdim pas këtij skandali që na kapi të papërgatitur, do të jetë shumë më e mirë se ç’është sot.
Ndaj ky lajm sot meriton të vendoset në kokat kryesore të buletineve informative. Pasi të lesh vithet dhe ti kthehesh dijes, në një kohë kur të nxësh nuk të jep ndonjë sadisfaksion apo bereqet kush e di se çfarë, është një hap i guximshëm që mbart me vete edhe shumë risqe.
Ndaj Kallashi meriton sot të gjithë përgëzimin tonë si shoqëri.
Sepse ajo po na tregon dhe po na mëson që mund të jetohet fare mirë edhe me libra, në një kohë kur të gjithë po rendin me pampers në mendere, për të pastruar djersën e ballit në parajsat fiskale.
Madje, nëse dikush do të më lexonte, do të sugjeroja që Kallashi të nderohet edhe me titullin “Honoris Causa”, si vlerësim për kontributin e paçmuar që ajo po jep në këtë kohë të vështirë.
Pasi te lesh dinjitetin profesional siç po bën Kallashi; një investim shumëvjeçar në fushën fitimprurëse të tundjes së vitheve dhe ti kthehesh botës akademike, në një kohë kur të tjerët kanë humbur personalitetin, moralin, identitetin, vështirë se mund ta bëjë kush tjetër.
Ndaj Kallashi është shembulli që ne na duhet si shoqëri, nëse duhet të ecim përpara në rrugën e bukur të dijes…
Edhe njëherë përgëzime për veprën tënde të paçmuar në shërbim të dijes….