Pavarësisht fitores së siguruar në shifrat 2-1, presioni nën të cilin skuadra e drejtuar prej tij u detyrua të luajë gjatë të gjithë pjesës së dytë falë reagimit të fuqishëm të Kombëtares Kuqezi, ka lënë të zhgënjyer trajnerin e përfaqësueses austriake. Trajneri Marcel Koller në analizën e tij pas ndeshjes miqësore, vlerëson lojën e ekipit të tij në pjesën e parë, por cilëson se në fraksionin e dytë gjithçka ndryshoi për meritë të Shqipërisë.
“Në pjesën e parë të lojës thuajse nuk e kemi lejuar fare kundërshtarin të na afrohet në zonën tonë për të rrezikuar. Me fillimin e pjesës së dytë, porsa jemi rikthyer nga pushimi i ndeshjes, kemi pësuar atë gol të parë, që i dha shumë guxim kundërshtarit. Kjo na bëri që të luanim më shumë. Realisht pjesa e dytë nuk ishte aq e mirë për ne sa ajo e para, gjithsesi nuk munguan rastet në fazën ofensive, ndonëse pa shkëlqim. Gjithsesi, ka edhe ndeshje jo të mira, por më mirë tani se në Europian. Le të na shërbejë kjo ndeshje si mësim për ne”, deklaroi trajneri i kombëtares austriake pas fitores 2-1 ndaj Shqipërisë.