Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka falur Nazime Vishën, vajzën e cila katër vite më parë vrau kunatin e saj i cili e kishte dhunuar seksualisht për shumë vite. Falja e Vishës nga Presidenti Nishani është bërë pas kërkesës së Ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani…
Në arsyetimin e tij Nishani ka marrë të mirëqenë pendesën e Nazime Vishës si edhe faktin që ka kryer 1/3 e dënimit.
Nazime Visha ishte dënuar me 10 vite burgim për vrasje me paramendim
Ja vendimi i plotë i Presidentit Nishani që fal Nazime Vishan
Arsyetimi i plote i Nishanit Mbështetur në përcaktimet kushtetuese, dhe ligjin nr. 10295, datë 01.07.2010 “Për Faljen”, vendosa të shqyrtoj kërkesën dhe dokumentacionin ligjor, për faljen e të dënuarës Nazime Beqir Visha, paraqitur nga Ministri i Drejtësisë, së bashku me propozimin e tij, për pranimin e kësaj kërkese ( Nr.1345/4 prot, dt.26.02.2016). Nga dokumentacioni rezultoi se kërkuesja Nazime Beqir Visha është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Tiranë me 10 (dhjetë) vite burgim, për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 78/1 e 278/2 i Kodit Penal, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë, me vendim nr.918, datë 18.10.2013. E dënuara rezulton, gjithashtu, se ka kryer më shumë se 1/3 e dënimit të dhënë, dhe sipas akteve të Ministrit të Drejtësisë i mbetet për të vuajtur edhe 3 (tre) vite, e 9 (nëntë) muaj, e 21 (njëzetenjë) ditë burgimi (data e llogaritjes deri më 17.02.2016). Në llogaritjen e vuajtjes së dënimit janë konsideruar dhe uljet e dënimit të fituara nga paraburgimi, nga ligji nr. 8328 , datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar si dhe nga ligji nr.22/2014 “Për dhënie amnistie”. Pas shqyrtimit të dokumentacionit në ushtrimin e të drejtës së faljes, për të dënuarën Nazime Beqir Visha, kam mbajtur parasysh kushtet dhe kriteret e ligjit nr. 10295, datë 01.07.2010 “Për faljen”, si dhe faktin sipas të cilit falja është një akt human i jashtëzakonshëm mëshire, dhe jepet në rastet kur nuk ekzistojnë kriteret ndaluese, e kur dënimi i vuajtur ka arritur qëllimin edukues dhe riintegrues. Tek kërkuesja vlerësova gjithashtu pendimin e thellë, sjelljen e saj si e dënuar, arsyetimin ligjor dhe propozimin e Ministrit të Drejtësisë, si dhe çdo rrethanë tjetër të veçantë që justifikon faljen. Për të gjitha këto arsye vendosa që në mbështetje të nenit 92 gërma “b” dhe 93 të Kushtetutës, si dhe të neneve 11 dhe 12, të ligjit nr. 10295, datë 01.07.2010 “Për Faljen”, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, të dekretoj faljen e pjesës së dënimit të mbetur, të të dënuarës Nazime Beqir Visha.