TIRANE- E keni dëgjuar shpesh emrin e tij që nga incidenti i Elbasanit, ku Blushi i drejtohej: “Pusho Qifte”. Ai është një nga drejtuesit e PS në Elbasan që tashmë është zgjedhur edhe anëtar Asambleje në PS.
Hektor Çiftja, duke folur për herë të parë për marrëdhënien me Blushin dhe incidentin thotë se nuk ka asnjë konflikt personal me Blushin. “Nuk është aspak e vërtetë që unë të kem armiqësi personale me deputetin Ben Blushi. Incidenti i Elbasanit ishte thjesht një keqkuptim. Në atë mbledhje me sa pashë ai nuk kishte dicka me cfarë të merrej dhe duke më njohur si njeri i partë, u or me emrin tim. Më ka bërë viktimë të paarsyeshme, unë nuk e meritoj të jem viktimë. Kur ndodhesh aksidentalisht në një sherr, kjo është e padrejtë që mbi ty të bien sulme të kota. Ne në Elbasan themi “na ke hyrë në hak”, u shpreh Hektor Çiftja në një intervistë për gazetën “Shqip”.
Më tej ai shton se nuk kupton pse Blushi i përmend emrin, madje në mënyrë ofenduese. “Vazhdon luan me emrin tim në mënyrë qesharake dhe vulgare. Kapet me mbiemrin në mënyrë qesharake, unë e kam ‘Çiftja’ ai ma bën me “Q”, që mendoj se është diçka vulgare nga ana e tij”, thotë Hektor Çiftja.
I pyetur në lidhje me akuzat e Blushit se më parë ka qenë me Partinë Republikane dhe pastaj kaloi me Partinë Socialiste, ai jep këtë përgjigje: “Unë kam vite në PS. Kam të paktën 15 vite që kontribuoj për këtë parti dhe kam punuar edhe në fushatën e 2013s, ku deputet në listën për deputet në qarkun e Elbasanit ka qenë edhe Ben Blushi. Në këtë drejtim, ai është duke shpifur dhe duke sharë pa të drejtë”, thotë anëtari i Asamblesë së PS.