Preç Zogaj
Të dielën e shkuar, në për balljen e radhës midis ambientalistëve nga shoqëria civile dhe bashkisë së Tiranës, kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, ishte fuqizuar me një prani të konsiderueshme fëmijësh.
I kishte mbledhur për t’i përdorur në korridën që po zhvillohet prej disa javësh për ndërhyrjen ose jo në parkun e liqenit.
Me këtë gjetje, Veliaj kishte llogaritur të dyfishonte, kësaj radhe me imazhe, investimin mediatik të qeverisë dhe bashkisë sikur kundërshtarët e ndërhyrjes në hapë sirën e gjelbër të parkut të madh të Tiranës janë të pandjeshëm ndaj luleve të jetës, ndaj nevojave që kanë fëmijët për t’u argëtuar, ndërkohë që Rama në qeveri dhe Veliaj në bashki i duan fëmijët më shumë se opozita dhe shoqëria civile!
Ndaj po ndërtojnë për ta një park të madh e të bukur lodrash në mes të pyllit, buzë liqenit artificial. “Ja, more ja, çfarë kundërshtojnë! Ja, more çfarë kanë halë në sy! Një park lodrash për kalamaj! Parkun që fëmijët e Tiranës mezi po e presin”! Ky është mesazhi.
Që po ta marrësh kallëp, jashtë përmbajtjes reale të kundërshtive që ka provokuar ndërhyrja në park dhe jashtë spekulimeve të njohura politike me ëndrrat dhe pafajësinë e fëmijëve, do të na tregonte vërtet një opozitë dhe një shoqëri civile të prapambetur, të pashpirt, djalli vetë.
Mirëpo debati dhe konflikti për hapësirën e gjelbër të parkut nuk ka të bëjë fare me temën e argëtimit të fëmijëve ku kërkon ta fusë propaganda e Ramës.
Ky debat nuk është shtruar dhe as shtrohet fare në formën e pyetjes “jeni pro apo kundër parqeve për fëmijë, jeni pro apo kundër një parku lodrash në pyllin e parkut të madh të Tiranës”.
Debati i shoqëruar me protesta dhe përplasje ka nisur dhe vazhdon sot e kësaj dite për një tërësi çështjes të karakterit ligjor, mjedisor dhe etik, siç janë: Lejohet apo nuk lejohet me ligj ndërhyrja në parkun e madh të Tiranës?
Ka apo nuk ka një plan urban të zonës, që do t’i hapte rrugë lejes së ndërtimit? Ka apo nuk ka leje mjedisore? A janë pyetur apo jo shoqatat e mjedisit dhe qytetarët për një ndërtim ndërhyrje, qoftë edhe të butë në parkun e Tiranës, që nuk ka qenë parashikuar në mënyrë eksplicite në programin elektoral të Velisë, pra, nuk rezulton i mbuluar me votë, çfarë e bën të domosdoshëm konsultimin me qytetarët.
Brenda çështjeve të mëdha si këto që përmendëm, që ngërthejnë në lidhjen e tyre legjitimitetin e munguar të projektit në fjalë, kanë gëluar e gëlojnë kundërthënie të tjera, që kanë krijuar ilaritet në publik, siç janë rrethimi i kantierit dhe fillimi i punës pa dalë leja zhvillimore, dhënia e lejes para datës së mbledhjes së KKTsë dhe xhevahire të tjera kësisoj që nëpunësve dhe zyrtarëve zëvendësa të bashkisë u kanë shpëtuar nëpër studiot televizive ngaqë nuk e dinin as ata ç’po ndodhte. Ku futen fëmijët, ç’punë kanë fëmijët këtu?
Asnjë punë, asnjë rol. Fëmijët i futi në skenë Rama dhe Erioni. Si për të vërtetuar një parashikim, sipas të cilit, kur është fjala për të çuar përpara me çdo kusht një projekt të dyshimtë, as njëri, as tjetri nuk i rezistojnë tundimit për të imituar artificet e shpifura të politikës ndër shekuj, siç është edhe kjo e përdorimit të fëmijëve si garniturë humanizmi.
Përqafimi i fëmijëve është poza tipike e gjithë diktatorëve.
Retorika politike nuk e ka pasur problem të gjejë në çdo kohë një justifikim të mbështetur në dashurinë ndaj fëmijëve për të çuar përpara vendime që kanë rezultuar katastrofike.
Një i tillë ka qenë vendimi i PPSHsë, në fillim të viteve tetëdhjetë, për tufëzimin e bagëtive në fshat, akti ekstrem i varfërimit të shqiptarëve, që u mbulua me kolonën zanore të një propagande të sinqertë, por të marrë sikur falë tufëzimit fëmijët do të kishin më shumë kohë për të mësuar.
Shtytja ishte indoktrinimi ideologjik kundër çdo gjëje private.
Fëmijët ishin zbukurimi i aktit. Në rrafshin libresk dukej vërtet diçka e mirë për fëmijët e fshatit dhe për higjienën e grave, por kur plasi zija për një filxhan qumësht u pa se medalja i kishte pasur dhe i kishte të dyja anët.
Shtetarët duhet të dinë të dallojnë dhe të vendosin më të mirën për qytetarët e tyre. Kjo sentencë është e vlefshme edhe në kohën tonë, kur nuk është më indoktrinimi ideologjik që vendos, por kontrata, e drejta, ligji demokratik.
Qeveria nuk mund të punojë me letra të fshehura, nuk mund të zbatojë projekte në kundërshtim me korpusin legjislativ, që për më tepër i ka mbajtur si asin nën mëngë kur është votuar.
Kjo është pika që ka gjeneruar tension dhe përplasje për parkun e Tiranës. Është një çështje më shumë se mjedisore, një çështje e reflektimit të kulturës së vjetër të sundimit të personit në kulturën e re të sundimit të ligjit.
Përfshirja e fëmijëve në përplasje të tilla na thotë shumë për reminishencat e politikës së vjetër, por nuk na thotë asgjë se kush ka të drejtë e kush nuk ka të drejtë për ndërhyrjen me inerte dhe materiale ndërtimi në hapë sirën e gjelbër të parkut të kundërshtare.
Për të diktuar, jo për të bindur. Thirren për të fshehur një hile, një abuzim, një poshtërsi. Secila palë mund t’i marrë. Por s’duhet t’i marrë. Këtu fillon ndryshimi. Fëmijët në mes janë tepër.
“Les enfants perdu” (Fëmijë të humbur), quheshin dikur ushtarët e pararojës që nxirreshin në vijën e parë të sulmit për të fituar terren dhe për t’u vrarë.
Metafora në rastin tonë është kjo. Nevojat e ligjshme të fëmijëve për parqe dhe mjedise argëtimi nuk mund të jenë pararoja e pushtimit të hapësirave të gjelbra, që më vonë mund t’u sakrifikohen interesave të tjera. Ky nuk është thjesht një dyshim.
Kemi pasur një park shumë të bukur lojërash në Rrugën e Elbasanit. Dikur, në vitin 2003, zoti Rama e përuroi të rindërtuar si miku më i dashur i fëmijëve, duke shëtitur me ta në një varkëlodër në pishinën e atij parku. Sot ai park ka vdekur. Precedentët kanë gjithashtu peshën e tyre në pozicionet që marrin qytetarët.
* Opinion i shkruar për gazetën “Panorama”.