Kapja e mbi gjysmë ton droge, e llojit kanabis sativa, në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës dy ditë më parë, ka ngritur dyshime për ringjalljen e një rrjeti trafiku, i cili u mendua se ishte goditur që në vitin 2008.
Këto dyshime lindën pasi, përveç shoferit Endri Zahiri që transportonte drogën, policia ka vënë në pranga edhe një person të njohur për drejtësinë shqiptare, Lutfi Shabanin, i njohur edhe si Ben Çami, i cili ishte dënuar në vitet 2008-2009 si organizatori kryesor i rrjetit të trafikut të heroinës nga Turqia drejt Shqipërisë, me destinacion përfundimtar brigjet italiane.
Burimet pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë qenë të rezervuar në dhënien e provave, që i çuan në arrestimin e Lutfi Dervishit. Ato janë shprehur për Top Channel se, dyshimet e implikimit të Dervishit, në tentativën për të trafikuar mbi 500 kilogramë kanabis sativa drejt Greqisë, nuk janë vetëm nga precedentët e tij të mëparshëm, por nga disa verifikme dhe hetime të shpejta, që janë bërë kryesisht duke gjurmuar telefonat celularë.
Kapja e kësaj sasie kanabisi, si dhe të një tjetre prej 200 kilogramësh nga policia greke disa ditë më parë, tregojnë se, ndonëse Lazarati nuk prodhon më bimën narkotike dhe policia ka rritur ndjeshëm numrin e parcelave të shkatërruara, zona të tëra si ajo e Shkodrës, Krujës, Lumit të Vlorës, apo Tepelenës po arrijnë të mbajnë gjallë tregtinë e kanabisit në vend. /tch/