Të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike kanë protestuar ditën e sotme para zyrës së deputetit të Vlorës Edi Rama. Ata pretendojnë se po ushtrohet presion psikologjik nga qeveria dhe nga deputeti Koço Kokëdhima për anëtarësime të reja në Partinë Socialiste. Veç kësaj ata kanë denoncuar dhunën e policisë në shkolla dhe universitete.
Kryetari i Forumit Rinor të PD-së së degës Vlorë, Agim Shehaj kërkoi që të ndalet dhuna në universitetin “Ismail Qemali” dhe shkollat e mesme, si dhe të lejohet që mësimi të zhvillohet normalisht, larg procesit të imponuar të anëtarësimit politik. Ndër të tjera ata thonë se kjo zyra nuk ka pritur asnjë qytetar gjatë këtyre viteve.
Nga ana tjetër, Alma Binaj, përfaqësuese e zyrës së deputetit Rama, ka reaguar rreth kësaj proteste, duke thënë se kjo protestë është pa drejtim, duke sqaruar se zyra për qytetarët ka qenë e hapur çdo ditë dhe ka pritur 1.550 qytetarë, si dhe shumë kërkesa e ankesa.