Bizneseve kanë nisur t’u dalin në sistem taksat e reja të Bashkisë, të cilat kapin shifra deri në 100 mijë lekë.
Sipas një fature të bërë publike nga një biznes në Tiranë, taksa e faturuar nga Bashkia Tiranë për zënien e hapësirës publike arrin shifrën e 97,500 lekë.
Këtë vit, tarifa e zënies së hapësirës është shumë-fishuar. Me ndryshimet e fundit, nga 1 janari, i njëjti biznes do të paguajë:
-Taksa e hapësirës, 1500 lekë për metër katror (nga 150 lekë për metër katror që ishte më parë)
-Taksa për tavolinat, 2500 lekë për tavolinë në muaj, një tarifë e re kjo.
Në sistem, bizneseve, kryesisht bar kafe u kanë kanë dalë vetëm taksat e zënies së hapësirës. “Përveç 10 fishimit të taksës së hapësirës duhet të paguajmë dhe një taksë prej 2500 lekë në muaj për tavolinë, çka është absurde pasi ne paguajmë njëherë sipërfaqen për zënin e hapësirës”, thotë
Iliri që menaxhon me qira një lokal në zonën e Komunës së Parisit dhe shfrytëzon një hapësirë anash pallatit, duke mos zënë asnjë pjesë trotuari.
Sipërfaqja është rreth 40 metra katror, që i duhet të paguajë 60000 lekë në muaj, ndërsa për tavolinat bashkia llogarit një tavolinë për 3 metra katror, pra 13 tavolina me një total takse prej 32500 lekë. Në këtë mënyrë, vetëm taksa e zënies së hapësirës dhe ajo e tavolinave shkon mbi 90 mijë lekë në muaj.
Ai dhe shumë lokale në Tiranë, gjatë ditës së sotme kanë hequr tavolinat nga hapësirat jashtë, ndërsa paralajmërojnë dhe transferim të kësaj barre te çmimet që do paguhen nga konsumatori fundor.
Ditën e djeshme u zhvilluan protesta përpara Bashkisë të organizuara nga përfaqësues të bizneseve të vogla, të cilët kundërshtojnë taksat e larta të vendosura këtë vit. Sipas tyre, faturat e larta do t’u vështirësojnë biznesin dhe do t’i çojë drejt falimentimit. Bizneset paralajmëruan përshkallëzimin e protestave në ditët në vijim.
Gjatë protestës, kreu i shoqatës së Tregtarëve, z.Nikollaq Neranxi tha se ” super tatimet vendore” do t’i çojnë në Gjykatë Administrative, pasi pushteti vendor dhe qendror ka program për të falimentuar biznesin vendas.
Rritja e fshehtë e taksave
Bashkia e Tiranës i ka shumëfishuar taksat dhe tarifat ndaj biznesit, kryesisht për tabelat dhe zënien e hapësirave publike, por vendimi i këshillimi Bashkiak i datës 30 dhjetor nuk u bë bërë transparent deri në fund të javës se kaluar kur u publikua në media dhe ndodhet i publikuar në një pjesë të padukshme të webit të Bashkisë.
Monitor zbardhi pak ditë më parë tabelat e plota, që tregonin taksa e tabelës mbi 2 metër katror shkon 45 mijë lekë, ndërsa për tabelat elektronike kjo taksë shkon 90 000 lekë metër në vit.Më parë tabela elektronike tatohej njësoj nga sipërfaqja me tabelat e tjera. Rritja të madhe kanë pësuar taksat e tabelës edhe për bizneset që janë ish komunat që i janë bashkuara Tiranës.
Një metër katror tabelë do të tatohet me 3 1.500 lekë/m2/vit dhe tabelat elektronike do të kushtojë 63.000 lekë/m2/vit. krahas ta taksave tradicionale këtë vit bashkia e Tiranës ka vendosur taksën për Arsimin. Çdo qytetar do të paguajë në 1800 lekë në vit ndërsa bizneset sipas llojit të aktivitetit do të paguajnë 4000 deri 3700 mijë lekë në vit. Kjo taksë sipas këshillit bashkiak do të jetë e përkohshme për një periudhë 7 vjeçare.
Inspektorët e Bashkisë kanë filluar tashmë punën në terren kanë zbritur në terren duke regjistruar një me një të gjitha tabelat për qëllime identifikimi dhe për qëllime reklamuese. Mirëpo bizneset po ankohen se inspektorët bashkiakë janë duke abuzuar pasi po regjistrojnë si tabela reklamimi edhe tabelat për qëllime identifikimi. Tabelat reklamuese taksohen 45000 lekë metri katror në vit, duke filluar nga zero, pra pa kufi minimal, ndryshe nga ato identifikuese që taksohen mbi 2 metra katror.
Një biznes që ka afishuar emrin e aktivitetit në një tabelë 2 metër katror i duhet të paguajë 90 000 lekë taksa në vit, nga klasifikimi i gabuar i inspektorit bashkiak (përndryshe do të paguante zero). Bizneset pohojnë se inspektorët nuk po procedojnë me udhëzimet përkatëse për të qartësuar se kush është tabelë reklamimi dhe kush identifikimi. Të dhënat po regjistrohen në serverin e Bashkisë dhe shumë biznese mund të përballen me të papritura kur t’iu vijë shkresa e taksave vendore nga Bashkia.
Bizneset po presin që bashkia të nxjerrë taksat vendore për secilin prej tyre. Më i prekur vlerësohet që do të jetë biznesi i vogël, me rritjen e taksave e tarifave që mund të tejkalojë shumën e 25 mijë lekëshit, që iu hoq bizneseve deri në 5 milionë lekë pak muaj. /monitor