Ish-kryeministri Sali Berisha u përplas mbrëmë me ish-deputetin e PD-së, Mark Marku, ndërsa flisnin në përkujtim të grevës së urisë së studentëve të Tiranës. Ndërsa Berisha i quajti heronj ata qindra të rinj që u futën në pallatin e kulturës së Qytetit Studenti në shkurt 1991, Marku, ish-grevist i urisë tha se ata nuk ishin aspak heronj dhe nuk u duhet dhënë ky model të rinjve të sotëm. Marku, madje theksoi se nuk do të dëshironte të fliste për këtë periudhë dhe se sipas tij studentët e vërtetë të grevës së urisë janë ata që nuk flasin për grevën e urisë.
Dialogu i plotë mes Mark Markut dhe Sali Berishës
Sali Berisha: Kishit përgatitur parullën te sheshi, do të shkruante të rrëzojmë shtatoren. Rajmonda Bulku, që kam këtu, erdhi me të gjithë Tiranën dhe merr fjalën duke thënë: Shkojmë te sheshi! Dhe kështu bënë, shkuan drejt sheshit, duke rrëzuar shtatoren e Enverit. Ishte një akt heroik. Çfarë bëri Ramiz Alia pasi kësaj? Krijoi këshillin presidencial dhe nuk mbaroi këtu ligësia e tij. Vuri veton për çdo funksion të lartë të shtetit. Nisi të bënte një grusht shteti, duke ushtruar terrorin më të paparë mbi drejtuesit e Partisë Demokratike, qytetarisë së Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Vetëm tre episode dua të tregoj: Në Borsh e lidhën kryetarin e PD-së pas kamionit dhe e zvarritën. Të njëjtin gjë u bënë demokratëve në Fier. Në Vlorë i futën dinamit kryetarit të Partisë Demokratike. Terror i paparë. Në rrugën e selisë tonë gjuanin me kallashnikovë.
Mark Marku: Është një kënaqësi që mu dha rasti për të komunikuar me brezat e ndryshëm të studentëve që kanë gjetur kohë për t’iu bashkangjitur përkujtimit të 25 vjetorit të grevës së urisë. Unë do të falënderoja të gjithë studentët e grevës së urisë që nuk janë këtu të pranishëm. E di pse i vlerësoj? Sepse e kanë bërë grevën dhe nuk preferojnë të flasin. Edhe unë do të doja të mos flisja që të jem po aq i ndershëm sa ata. Më ka pëlqyer gjithmonë ajo pjesë e njerëzve që bëjnë akte njerëzore dhe nuk dalin më pas të luajnë rolin e heroit. Mesazhi që doja të jepja sonte ka të bëjë me deheroizimin e atyre studentëve që bënë grevën e urisë, pasi mendoj se kjo është dhe forma më e mirë për të reflektuar ndaj nevojave që ka vendi. Deheroizimi është mëse i nevojshëm në këto momente. E para, unë dua të rithem, se të bësh një veprim siç bëmë ne 25 vite më pare, nuk ka qenë aq e rrezikshme sa është thënë këto 25 vite. Është tepruar sa herë që është thënë se ne kemi rrezikuar veten, kemi sakrifikuar veten, pasi dihet se kemi qenë të bindur se asgjë e keqe nuk do të na vinte pas grevës. Kemi qenë disa të rinj që nuk e kemi përfillur mekanizimin e diktaturës dhe të them të drejtën ishim të bindur se nuk do na ndodhte asnjë e keqe. Greva është bërë në mënyrë shumë sportive. Kemi qenë një grup shokësh, vendosëm të hynin në grevë. Nuk ishim kamikazë dhe as nuk e kemi menduar se do të vdisnim. Kishim shpresë se do e rrëzonim bustin dhe do të rrëzonim edhe diktaturën. Se kështu siç e kemi nisur ne duke folur për veten, për heroizmat, do të frikësojmë të rinjtë e sotëm për të bërë akte të tilla. Unë mendoj se veprimi i studentëve në atë kohë ishte shumë spontan dhe e patëm marrë shumë me sportivitet, se e dinim se nuk ishte ndonjë kosto e madhe për ne të vepronim dhe të reagonim për të arritur një ndryshim. Ne e patëm vendosur se kjo gjë mund të bëhet dhe e bëmë, siç e kanë bërë para nesh dhe shumë studentë të vendeve të tjera të Evropës, në vitin ‘68. Njësoj si ata që kanë dalë dhe kanë thënë “më mirë puthemi se të luftojmë”. Rinia nuk ka nevojë të mendojë se për të bërë ndryshime duhen patjetër të jenë heronj dhe të bëjnë akte heroike. As nuk kemi qenë ne heronj, as nuk kanë nevojë të jenë të rinjtë e sotëm. Thjesht të rinjtë duhet të reagojnë ndaj gjendjeve të rënda që mund të kalojë vendi i tyre. Ajo që kërkoj nga brezi i sotëm është që të kopjojnë nga ajo kohë vetëm sensin e revoltës. Dhe në atë kohë na thonin se ishim shumë mirë, ndërkohë që ishin keq, në atë kohë na thonin se Shqipëria po përparon dhe komunizmi është triumfues ndërkohë që komunizmi po rrëzohej në të gjithë botën, na thonin se ne ushqeheshim më mirë se të tjerët, ndërsa njerëzit po vdisnin urie. Këtë e kuptuam dhe na thirri nevoja instiktive e të riut për të reaguar, që lidhet me moshën. Ndjenja e revoltës vjen së brendshmi në mënyrë shumë të thjeshtë. Nuk kemi nevojë për të treguar këtu se si disa prej nesh bëmë akte trimërie, heroike etj. Ne e dimë se çdo epokë ka rrethanat e veta. Pra nuk ka pse të jetë një student i sotëm i revoltuar njësoj siç ishim ne. Çdo brez duhet të reagojë, dhe nëse nuk e bën këtë, është i destinuar që të zhduket në histori dhe të humbasë pa lënë shenjë në jetën e tij dhe të kalojë pa asnjë gjurmë. Mesazhi im është që sa më pak të rrezikosh aq më shumë i rrezikuar je, sa më shumë të rrezikosh aq më pak i rrezikuar je.
Replikat
Pas fjalës së Mark Markut ka reaguar dhe Sali Berisha, i cili nguli këmbë se ajo që bënë studentët ishte heroike. “Mark, gjërat ishin ndryshe për ata që ishin brenda dhe ndryshe për ata që e shihnin nga jashtë, kishte aty në mënyrë absolute një dimension heroik të paparë, i cili qëndronte në çfarë? Qëndronte në vendosmërinë. Ju them këtu, se nëse Partia Demokratike ju thoshte këtyre, dilni nga greva, këta kurrë nuk do të dilnin. Ne shkuam dhe ju thamë të pranoni, sepse u nda universiteti në katër pjesë, dhe kishim hallin e këtyre. Por kur çoi Ramiz Alia dy të dërguarit e tij me dekret për heqje emri, këta ia kthyen sepse nuk kishte numër protokolli. Kjo ishte një vendosmëri që të çonte drejt flijimit dhe në këtë aspekt për mua këta janë heronj” u shpreh Berisha
Berisha rrëfen batutat dhe trimërinë e Azem Hajdarit
Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka rrëfyer përjetimin e tij për grevën e studentët dhe si nisi greva e pas rrëzimin e shtatores së diktatorit. Ai ka kujtuar para atyre pak studentëve të grevës së urisë, të pranishëm në ceremoni, dhe anëtarëve të tjerë të kësaj force politike, batutat me Azem Hajdarin. “Greva e studentëve, ka historikun e vet, pa mëdyshje me një diversitet tregimesh që është normale, por cilat janë momentet. De-Enverizimi ishte problemi më madhor i Partisë Demokratike. Pa de-Enverizimin, Partia Demokratike ishte një fasadë-opozitë. Po ju them një gjë, që mund t’ju duket çudi sot. Në shkurtin e viti ’91, i gjithëfuqishëm dhe i kudondodhur i këtij vendi ishte Enver Hoxha, nga qendra e Tiranës në çdo skaj të territorit, por fatkeqësisht edhe në mentalitetin e shqiptarëve. Dhe nga mesi i muajit janar unë i them Azem Hajdarit se, ne po nuk ndërmorëm de-Enverizimin ne nuk kemi të ardhme si opozitë dhe çdo ditë dhe më shumë ne dukemi para botës dhe shqiptarëve si një fasadë -opozitë, pasi çdo mëngjes dhe çdo darkë që ne kalojmë përbri shtatores së diktatorit, ai tallet me ne. Siç ishte, u ngrit në këmbë, më përqafoi dhe më tha: “Unë për tre ditë të heq Dullën”. I them jo prit, në asnjë mënyrë pasi ata e vendosin përsëri dhe e vendosin dhe me vaj pastaj. Ky ishte aksioni më i vështirë”, rrëfeu Berisha, duke treguar më tej se nëse lëvizja e dhjetorit nisi nga Qyteti Studentit, greva e urisë, thotë ai lindi nga Universiteti Bujqësor. “E vërteta është se nëse lëvizja e dhjetorit filloi në Qytetin Studenti, lëvizja e shkurtit filloi në Kamzë. Filloi nga data 1 – 2 shkurt, dhe nuk ishte lehtë, sepse duhej bojkotuar mësimi. Bislim Ahmeti ishte kryetar i Partisë Demokratike për Kamzën, dhe në morinë e kërkesave dega e PD vendos heqjen e emrit Enver Hoxha të Universitetit të Tiranës, mirëpo këta ishin të Universitetit Bujqësor, nuk kishin të bënim me emrin. Arritën ta kompletojnë më duket me 5 ose 6 shkurt bojkotin e plotë të mësimit, dhe Azemi që e ndiqte me një angazhim absolut më thotë se sot kanë miting dhe i them që të shkonin me gjithë Arbenin. Pra në miting shkon edhe Arben Imami bashkë me Azem Hajdarin në Kamzë. Janë formuluar kërkesat, është zgjedhur komisioni i grevës, Osman Stafa kryetar. Tani është prapë merita e Azemit dhe e Arbenit, ndajnë detyrat. Arbeni merr Artet dhe Azemi merr Qytetin. Në një pasdite të tërë ai arrin të prodhojë qindra postera dhe t’i vendosë në çdo godinë dhe në çdo skaj të Qytetit Studentit. Të nesërmen pati një bojkot masiv. Pastaj u bënë kërkesat dhe një aktiv me rininë universitare ku ishte Gramoz Pashko me Genc Rulin të cilët diskutuan për platformën elektorale, se aty filloi peticioni për të hequr emrin. Aty përcaktohet komisioni drejtues, përcaktohen kërkesat”, tha Berisha.
Flaken ish-grevistët, mungojnë dhe disa nga themeluesit e PD-së
Në podiumin e ngritur me rastin e 25 vjetorit të grevës së urisë, përjashto Mark Markun, i është dhënë e drejta fjalës të gjithë demokratëve që njihen si ushtarë të betuar të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ndërkohë që ish-protagonistët e vërtetë të grevës së urisë, Mesila Doda, Blendi Fevziu, Blendi Gonxhe, Arben Sulo, Myftar Gjana, Akil Fundo, Shpëtim Idrizi, Spiro Curra, Alfred Çako, Alban Pici, Ardi Stefa, Ylber Zeneli, Violanda Llana etj, nuk kanë qenë të pranishëm në ceremoni. Dhe një prej kryesorëve të grevës së urisë, që mori pjesë në ceremoni, Arian Manahasa, nuk ka pranuar të ngjitet në podium përkrah Berishës. Ndërkohë në aktivitetin e organizuar në Qytetin Studenti, nuk i është dhënë e drejta e fjalës as disa prej strukturave drejtuese të PD-së, që kanë qenë pjesë e PD-së në fillesat e saj. Lënia larg podiumit e Genc Pollos, Eduard Selamit dhe Arben Imamit, në fakt ka lënë shumë përshtypje dhe në mesin e demokratëve në sallë, të cilën kanë ironizuar sa herë që fjalën e merrnin të rinjtë që në atë periudhë nuk kishin mbushur as 18 vjeç. Disa prej tyre ishin: Kreshnik Çollaku, apo Edit’h Harxhi. Ndërsa ka çuditur edhe prania në podium e Jamarbër Malltezit. Derisa dhëndrit i është rezervuar në vend në podium, Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Astrit Patozi, Dashamir Shehi, Ilir Rusmajli nuk kanë qenë fare të pranishëm në përkujtim. Topalli, Bode nuk kanë qenë firmëtarë të krijimit të PD-së, por kanë qenë në postet kyçe të kësaj force politike gjatë gjithë këtyre viteve. Në sy binte edhe mungesa e Aleksandër Meksit, Besnik Mustafajt, Preç Zogajt, tre prej themeluesve të PD-së, si dhe mungesa e Genc Rulit. Ndërkohë pjesa tjetër e protagonistëve të grevës së urisë, të njohur si Lëvisja Studentore mësohet se do të përkujtojnë 25 vjetorin e grevës së urisë gjatë ditës së sotme.
Greva studentore ‘91, Basha e thërret pas 25 vitesh
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ndërsa përshëndeti ish-studentët e cilësoi grevën një akt historik, nënvizoi se koha po thërret sërish në skenë studentët. “Greva urisë e studentëve ishte një akt heroik, historik dhe sot, pas 25 vitesh, koha dhe sfidat e Shqipërisë po i thërrasin sërish në skenë studentët dhe grevat. Unë jam i sigurt që rinia shqiptare nuk do të zhgënjejë, por do të ngrihet përsëri për liri dhe demokraci”, tha ai. Më tej ai tha se 25 vite më parë një grup studentësh vendosën të hyjnë në një grevë urie, duke zgjedhur këtë formë ekstreme të protestës për të kërkuar liri dhe demokraci ndaj regjimit që ishte duke rënë. “Kjo grevë ishte një ndër hapat e parë që do të pasonte më tutje protestat masive studentore, të cilave iu bashkuan me shpejtësi edhe qytetarët që kërkonin rrëzimin e komunizmit”, tha ai. Kur kanë kaluar dy dekada e gjysmë, Lulzim Basha mendon se Shqipëria ndodhet sërish në udhëkryq./Shekulli