Gaza është “vendi më i uritur në Tokë”, thanë Kombet e Bashkuara më 30 maj, duke paralajmëruar se e gjithë popullsia e territorit palestinez tani është në rrezik nga zia e bukës.
Negociatat për dhënien fund të luftës 20-mujore në Gazë deri më tani kanë dështuar që të arrihet një përparim, me Izraelin që ka rinisur operacionet në Gazë në mars, duke i dhënë fund armëpushimit gjashtëmujor.
“Gaza është vendi më i uritur në Tokë”, tha Jens Laerke, zëdhënësi i agjencisë të OKB-së për ndihma humanitare, OCHA.
“Është e vetmja zonë e përcaktuar – një shtet ose territor i përcaktuar brenda një shteti – ku e gjithë popullsia është në rrezik nga zia e bukës. 100 për qind e popullsisë është në rrezik nga zia e bukës”, tha ai, duke hedhur poshtë pretendimet e Izraelit që thonë të kundërtën.
Gjatë një konference për media në Gjenevë, Laerke dha detaje për vështirësitë që po përballet OKB-ja për të dërguar ndihma humanitare në Rripin e Gazës.
Në ditët e fundit, Izraeli pjesërisht ka lehtësuar bllokadën e plotë të ndihmave në territorin palestinez, që e vendosi më 2 mars.
Laerke tha se 900 kamionë me ndihma humanitare janë autorizuar nga Izraeli për hyrje në Gazë, që kur bllokada u hoq pjesërisht.
Por, deri më tani vetëm 600 kamionë kanë dërguar ndihmë në pjesën e kufirit në Gazë, dhe vetëm një numër i vogël i tyre është marrë nga palestinezët.
Këtë javë, Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF) – organizatë që mbështetet nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara – këtë javë ka shpërndarë ndihma nga disa qendra në Rripin e Gazës.
Kjo organizatë është përballur me akuza se ndihmon Izraelin që të përmbushë synimet e tij ushtarake.
I pyetur për operacionet e kësaj organizate, Laerke tha “nuk po funksionon. Nuk po përmbush nevojat e njerëzve. Po krijon kaos”./REL