TIRANE- Presidenti Nishani i ka bllokuar Kryeministrit Edi Rama dy ministrat e rinj. Nishani nuk ka dekretuar Arben Ahmetajn në krye të ministrisë së Financave dhe Milva Ikonomin tek Ekonomia. Nuk ka asnjë shpjegim nga Presidenca, por duket se ky është një qendrim i Presidentit ndaj Kryeministrit. Gjatë ditës së djeshme pati një përplasje të fortë mes tyre.
Kryeministri Rama duke komentuar vizitën e John Kerry-t dhe faktin se Nishani doli dhe e priti tek shkallët e avionit tha se më vjen keq për Presidentin që ra në nivelin e një shefi protokolli. Sakaq Presidenti reagoi duke thënë se takimi mes tij dhe Kerry-t ka qënë planikikuar në protokollin e ambasadës amerikane. Nishani i kërkoi Ramës të kërkonte falje për deklaratat.
Sot një ditë pas përplasjes në distancë mes tyre, ndodh edhe bllokimi nga ana e Presidentit. Ai ka dekretuar vetëm shkarkimin e ministrave dhe jo emërimin e ministrave të rinj.