TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se shkarkimi i ministrit të Financave Shkëlqim Cani ka ardhur për shkak se ai ka refuzuar të firmosë koncesionin e TVSH-së.
Basha deklaroi se emërimi i Arben Ahmetajt në detyrën e Ministrit të Financave është bërë me synimin e vetëm që ky koncesion të vazhdojë dhe ta fitojë vëllai i Kryeministrit, Olsi Rama. Në këtë formë, vijoi Basha, Rama u ka shpallur luftë shqiptarëve.
Duke folur për vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry ai tha se në emër të opozitës i kam bërë të ditur se: “Dekriminalizimi është parakusht që çdo reformë tjetër të ecë përpara, kusht i çdo kushti për legjitimin e hapave të mëtejshëm që Shqipëria duhet të hedhë si për reformën në drejtësi, cështjen e zgjedhjeve të lira”.
Së dyti, tha Basha, “reforma në drejtësi, ku PD ka një qëndrim të qartë atë të mbështetjes pa kushte të një drejtësie të reformuar të pakapur politikisht që lufton korrupsionin në nivele të larta, përfshi korrupsionin në gjirin e saj. Reformë gjithëpërfshirëse me konsesus”.
“Çështja e tretë, zgjedhjet e lira e të ndershme. Kërkova angazhimin e SHBA për të zgjidhur këtë problem ekzistencial dhe ju konfirmoj se nga sekretari Kerry mora konfirmimin e mbështetjes totale për të kapërcyer këtë sfidë të madhe, zgjedhje të lira e të ndershme”, tha lideri Basha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar. /Opinion.al/