Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për Fatos Sulajn.
Ai akuzohet për “vrasje të punonjësit të policisë, mbetur në tentativë,” “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “krijimi i grupit të strukturuar kriminal” dhe “veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Fatos Sulaj konsiderohet përgjegjës për një seri ngjarjesh të ndodhura në Mars 2013, fillimisht në burgun e Trikallës në Greqi dhe më pas në disa zona të tjera të Greqisë.
Gjykimi është zhvilluar me procedurë të shkurtuar, në bazë të të cilës, të pandehurit i ulet 1/3 e dënimit, në rast se shpallet fajtor.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi si dënim përfundimtar 25 vjet burgim.
Fatos Sulaj ka qenë i burgosur në kohën e ngjarjes në burgun e Trikallës dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë arritur të arratisen, me ndihmën e disa personave të armatosur.