Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme po zhvillon të mërkurën seanca dëgjimore me kandidatët për ambasadorë në Kuvajt, Turqi dhe Itali.
Kandidaturat e propozuara nga Ministria e Jashtme janë Saimir Bala për postin e ambasadorit të Shqipërisë në Shtetin e Kuvajtit. Ai zëvendëson në këtë detyrë diplomatin Kujtim Morina.
Genti Gazheli është emri tjetër i propozuar nga dikasteri i jashtëm për ambasador në Republikën e Turqisë, rezident, si dhe ambasador jorezident në Republikën e Azerbajxhanit, në Republikën Islamike të Iranit, Republikën e Kirkistanit, Republikën Islamike të Pakistanit dhe në Republikën e Gjeorgjisë. Ai pason në këtë detyrë diplomatin Genti Muçaj.
Ndërsa, Anila Bitri është propozuar nga qeveria për detyrën e ambasadores në selinë diplomatike të Shqipërisë në Romë, rezident, si dhe ambasador jorezident në Republikën e Maltës, në Republikën e San Marinos dhe pranë Organizatës Ndërkombëtare të Bujqësisë dhe Ushqimit “FAO”. Bitri zëvendëson Neritan Cekën, ambasadori i fundit i Shqipërisë në Republikën italiane.