Nga JORIDA TABAKU
Në përjekje për të mbrojtur të pamundurën, zëvendësministrja e financave tha që nuk quhet koncesion procedura që kanë ndërmend të realizojnë për dhënien e të drejtës një privati për administrimin e TVSH por quhet partneritet publik-privat. Duke i hedhur një sy Ligjit 123/2015 në fakt nuk është se ka ndonjë diferencë të madhe ndërmjet koncesionit dhe partneritetit publik-privat. Neni 3 e përkufizon “koncesionin e shërbimeve” si një marrëveshje me interes financiar në formë të shkruar ndërmjet autoritetit kontraktues dhe një ose më shumë operatorëve ekonomikë, objekti i së cilës është sigurimi i shërbimeve, ku shpërblimi për shërbimet që do të sigurohen përbëhet nga e drejta për të shfrytëzuar shërbimet që janë objekt i kontratës ose nga kjo e drejtë së bashku me pagesën.
Ndërkohë që partneriteti publik-privat nënkupton një formë bashkëpunimi afatgjatë të rregulluar me kontratë ndërmjet autoritetit kontraktues, domethënë partnerit publik, dhe një ose më shumë operatorëve ekonomikë, domethënë partnerit privat, ku kontraktori merr disa detyrime për ofrimin e shërbimeve. Në fakt gjatë gjithë ligjit këto dy terma koncesione dhe partneritet publik privat kuptohen si të këmbyeshëm dhe nuk bën ndonjë diference të madhe se çfarë emir i vënë. Ia vënë koncesion apo partneritet publik privat. Thelbi dhe ideja mbetet e njëjtë. Një shërbim publik, që është themelor si administrimi fiskal do të realizohet nga një privat në emër të shtetit. Sido që ta quajnë janë duke i dhënë një privati një të drejtë ekskluzive, që është dhe titull ligjor, që i takon shtetit.
Trendi i këtyre tre viteve të fundit ka qënë që kjo qeveri ka ndërtuar paketa fiskale inefiçente që është shoqëruar edhe nga një paaftësi përzier me korrupsion në fushën e mbledhjes së të ardhurave. Këto kanë sjellë si pasojë një buxhet të varfëruar tej mase por edhe një gjendje ekonomike tërësisht të pashpresë. Duke shfrytëzuar këtë paaftësi të përzier me hajdutëri, qeveria mendoi të jepte me koncesion/partneritet publik privat një nga detyrat kryesore të saj, mbledhjen e të ardhurave.
Sa më shumë hulumtohet kjo histori aq më shumë të vërteta për mënyrën se si u shpik ky koncesion dalin në dritë. Fjala vjen, nuk ishte qeveria e cila kishte menduar për një koncesion të tillë (megjithëse ka dështuar jo vetëm në politika fiskale por mbi të gjitha edhe në administrimin e taksave) por ishte një kompani e huaj që ia kishte propozuar. Kështu qeveria ngriti një grup pune brenda Ministrisë së Financave i cili pasi e hulumtoi mundësinë doli me tezën më të logjikshme “Koncesioni në fjalë është antikushtetues”.
Megjithëse grupi i ngritur pikërisht për këtë koncesion jep një verdikt të tillë, qeveria sërishmi vazhdon me të sajën. Henry Paulson, Sekretari i 74 i Thesarit të SHBA, shprehej se “Korrupsioni gjallon atëherë kur pushteti puqet me oportunitetet”(Corruption breeds where power meets opportunity) dhe sot është pikërisht momenti ideal kur oportunitetet kanë takuar pushtetarët e duhur.
Në këtë mënyrë, oportuniteti u puq me pushtetin dhe prodhuan “koncesionin e TVSH-së” i cili vjen ironikisht pas aksionit aq shumë të reklamuar anti-informalitet. Pasojat e të cilit sapo kanë dalë në dritë në buxhetin e vitit të shkuar i cili fakton se tek zëri i të ardhurave kemi pasur një rënie reale prej 1.6%. Në fund të vitit ku aksioni anti-informalitet u reklamua si sprinti që do të nxjerrë faqebardhë qeverinë, ne si rezultat morëm një dështim që me sa duket frymëzoi kryeministrin dhe ministrat e tij për ta dhënë sektorin e mbledhjes së TVSH-së me koncesion.
Kështu jemi përballë një historie të vjetër që përsëritet nga ata që u zotuan se do e luftonin korrupsionin. Këtë të fundit ata e zbatojnë çdo ditë të vitit në forma dhe mënyra të reja, përmes njëmijë e një makinacioneve meskine. Si e si për të përfituar ato dhe grupi i ngushtë që i rrethon. Duke rënduar akoma më shumë ekonominë përmes koncesioneve, tenderave dhe politikave fiskale selektive dhe që si pasojë nuk përcjellin vlerë të shtuar në ekonomi.
Sa i takon parashikimeve qeveritare për këtë koncesion duhet të jemi më shumë se sa skeptikë. Të mos harrojmë që kjo është e njëjta qeveri e cila gaboi në parashikimin e rënies së çmimit të naftës për dy vite rresht. E njëjta qeveri e cila gaboi në parashikimet e reshjeve të shiut për dy vjet rresht dhe është e njëjta qeveri që miratoi buxhetin me shifra të ndryshme. Këto janë shembuj sa për të thënë që kemi të bëjmë me një qeveri që nuk mban përgjegjësi për veprimet që kryen dhe si e tillë nuk mund t’i zihet besë.
Por edhe sikur këto të mos mjaftonin, eksperienca e këtyre dy viteve ka dëshmuar se qeveria e ka trajtuar kushtetutën si diçka të parëndësishme. Mjafton t’i hidhet një sy ligjeve që ajo ka miratuar dhe reformave që ajo ka ndërmarrë për ta kuptuar. Nuk është aspak habi që edhe ky koncesion ndonëse antikushtetues do të vazhdojë të kërkohet nga një qeveri që parlamentin e ka kthyer në një noter që vulos dëshirat e saj.
Atëherë kush është zgjidhja në këtë rast? Në mendimin tim, zgjidhja është sa tek opozita që duhet të vazhdojë betejën e saj ashtu edhe tek qytetarët. Të cilët duhet të jenë bashkë me opozitën në kundërshtim me këtë cënim të radhës që do të na prekë të gjithëve. Duhet t’i bëjmë të kuptojë këtë mazhorancë se paaftësia apo edhe makutëria ndëshkohen me largim dhe jo me forma koncesionare abuzive. Nëse sot ka ministra apo drejtorë që janë të paaftë në punën e tyre atëherë ato duhet të largohen, askush nuk është i përjetshëm në pushtet dhe askush nuk ka lindur për të qenë i tillë. Demokracia do të thotë sundim i popullit dhe jo sundim i një pakice qeveritarësh të cilët përpiqen ta kontrollojnë popullin përmes oligarkëve ekonomike.