Nga Bardha Nergjoni
Pak e konceptojnë se në vitin 1925 ka pasur turistë në Shqipëri, por Jan dhe Cora Gordon do t’i binin Ballkanit kryq e tërthor, duke u ndalur mjaft në Shqipëri. Ata përshkruan të gjitha tablotë që hasën në Shqipërinë e atyre viteve, duke u kthyer në burim parësor informacioni për të huajt rreth jetës shqiptare të atëhershme.
Përkthimi ka ardhur nëpërmjet Edgar Frashërit në vëllimin “Dy bredharakë në Shqipëri”, siç edhe e kishin konsideruar ata veten në vëllimin anglisht. Në një javë ndalesë në Elbasan, ata përshkruajnë një qytet të varfër, por edhe tregtar, që ka pak nga Evropa. “Në Elbasan ka shumë pak nga Evropa. Pazari ka një pamje shumëngjyrëshe dhe një lloj hareje karakteristike të Lindjes; kafazët e vegjël janë njëkohësisht edhe dyqane edhe punishte, të zbukuruara me llojshmërinë e mallrave midis të cilave vetë pronarit i mbetet pak vënd për të ndenjur tamam si një ‘Jack in the box’. Nëpër rrugë, pas gomerëve ngarkuar me prodhime, shikon fshatarë të veshur me kostume bardhë e zi, me shami brilante, hedhur sipër një xhakete leshi të zezë, shenjë zie për heroin Skënderbeg. Ndërsa borgjezi shëtit me një feste shqiptare të zezë në kokë, e cila jo vetëm që duket por edhe është prej një cohe të butë të zakonëshme me strehën e prerë…”
Çifti i aglezëve do të veçonte Lef Nosin. Ata i vendosën emrin Pasionanti, duke u ndalur në përshkrimin e shtëpisë bashkë me koleksionet që e ndoqën gjatë gjithë jetës dhe u zhdukën pa lënë gjurmë.
“Shtëpia e Pasionantit nuk ishte më shumë e dukshme se e të tjerëve. Ajo kishte një portë të fortë, një holl si hyrja e një hani modë e vjetër, zbukuruar me punime druri të gdhëndur stili turk dhe një obor të shtruar me plloça. Por dhoma e pritjes e Pasionantit ishte një përzierje e çuditshme e një dhome vizatimi, librarie dhe muzeu, ku muret ishin të stërmbushura me koleksione të ndryshme nga ato të ornitologjisë, e me antikitete argjendi. Raftet ishin mbushur me më shumë argjenturina, fosile, pjesë gdhëndje, monedha të vjetra, hajmalira, libra të vjeter, armë…, që në fakt do të ishte dhoma më e fundit që ne mund të prisnim të gjenim në të parën shtëpi shqiptare që hymë. Pasionanti, të cilit i sollëm një letër prezantimi, dukej po aq i vogël si një shqiptar imagjinar, sa edhe në fakt ishte.
Më solli në mendje ngjashmëri me një oficer englez në ushtrinë egjyptiane, ku kombinimi i tipit të qetë nordik me festen orientale ishte fare i pavend. Për më tepër, ai ishte një tip i vogël shqiptar që kishte qenë dy herë në burg dhe një herë kryebashkiak i Elbasanit, dhe që kishte hequr dorë nga politika duke iu kthyer koleksioneve me premtimin se në fund ato do t’ia linte qytetit”.
Një ves shoqëror i asaj kohe ishin thashethemet që vraponin me ritmin e erës së ftohtë të Krastës.
“Ishte pikërisht në zyrën e Prefektit, ku Pasionanti na shoqëroi për një ceremoni zyrtare dhe prezantim të letrave ministrore, kur Shqipëria filloi të merrte karakter më pak zyrtar për ne. Sapo kishim pirë kafenë e ëmbël ceremoniale dhe prefekti, një tip me fytyrë të gjatë të errët dhe me mustaqe të gjata, kishte shprehur habinë e tij për shqipen e pakët që zotëronte Jo, duke na falenderuar me mirënjohje të ndjerë për ardhjen tonë në Shqipëri për të shkruar për të, dhe na vuri pa pagesë në dispozicion makinën e tij, kuajt, policinë dhe burime të tjera të zonës. Pastaj, duke përdredhur mustaqet, ai tha:
“Dhe tani, më thoni sa paguat për darkën mbrëmjen e kaluar?”
Pyetja na kapi krejt në habi. Ne nuk e kishim bërë fjalë me asnjeri.
“Eshtë e vërtetë se keni paguar një gjysëm napoloni?”
“Po, duket se është kështu.”
“Aha! Më erdhi në vesh kjo,” u përgjigj prefekti me një buzëqeshje pak të fryrë. “Po më thoni se çfarë hëngrët? Sa pjata ju sollën?”
Ne përshkruam darkën tonë që kishte supën, bukën, mishin, pilafin, kosin dhe një shishe birrë.
Prefekti bëri llogari në majë te gishtave.
“Njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë korona,” pohoi ai dhe pastaj vazhdoi me një zemërim në rritje: “ Çfarë gjëje e tmerrshme ka ndodhur. Ne duhet ta shohim këtë gjë. Unë ndjehem me vërtetë i turpëruar. Pranoni ndjesën e të gjithë shqiptarëve të ndershëm,” etj., etj.
Nga prefekti shkuam për vizitë tek kryebashkiaku. Edhe këtu përsëri u pinë kafetë e ëmbla, u shpërndane cigare të dredhura nga vetë kryebashkiaku, dhe u falenderuam që kishim ardhur në Shqipëri për të shkruar për të. Dhe pastaj, mbasi kishin mbaruar ceremonitë fillestare, kryetari tha:
“Eshtë e vërtetë që keni paguar një gjysëm napoloni për darkën e mbrëmshme? Tani më thoni sa pjata hëngrët?”
Arithmetika e kryebashkiakut nuk ishte më pak e saktë sesa ajo e prefektit. Zemërimi i tij ishte kaq i zhurmshëm po aq sa dhe ndjesat e tij të ofruara falas.
Zhvillimi i tregtisë tërhoqi vëmendjen e dy turistëve.
“Elbasani është pa ekzagjerim një farë dyqani. Me 10 mijë banorë që ka qyteti atje ka pothuajse një mijë dyqane. Kështu pra, duke zbritur nëpunësit e qeverisë, gratë dhe fëmijët e shumtë në numer, duket sikur çdo person në Elbasan mban një dyqan ose diçka të ngjashme. Mbajtja e dyqaneve nuk ishte barrë ose mundim, në përgjithesi. Përmasa mesatare e një dyqani është afërsisht 3 m i gjatë me 2 m i gjërë (afro 6m katror), por me një qera vjetore prej gjashtë sterlina dhe dhjetë shilinga, në kushtet e një konkurence të madhe, është problem që të arrish që dyqani të mbajë të zotin. Miqtë tanë nga Amerika kishin një dyqan më të madh e pozicioni i tij ishte më i favorshëm se të tjerët, qeraja e tyre ishte 6 stërlina në vit, megjithate ne asnjëhere nuk pamë të shitej një send që t’u jepte atyre një fitim të pastër sa katër qindarka, gjatë sorrollatjes tone në këtë qytet. Pra, nuk mund të thuhet se shpirti modern i shitjes po zhvillohej shpejt, edhe për më tepër në kushtet e një konkurence të tillë. Një farë tregtie ekzistonte por jo kush e di se çfare, dhe nganjëherë shfaqej edhe shpirti tregtar modern, i cili, gjykuar nga standardi modern, ishte qesharak.
E tërë provinca e Elbasanit nuk ka më shumë se 80 mijë banorë. Eshtë një provincë pjellore me ullinj dhe duhan, por që nuk ka rrugë ose ndonje qendër tregtare, kështu që gjithë fuqia blerëse përqëndrohet në qytet, gjë që shpjegon dhe numurin e lartë të dyqaneve. Prandaj dhe fakti që i takon të jetë një dyqanxhi për çdo 80 banorë, është një përqindje e lartë, e cila të bën të mendosh se shume prej tregtarëve të Elbasanit e shtyjnë me rrip të shtrënguar. Prandaj edhe shikon gjithmone fytyra në ngjyrë gri me nuancë hekuri, që tregon se kjo vjen nga ushqimi i keq. Ky lloj dyshimi mund të përforcohet nëse je me fat të ndodhesh në Elbasan ditën e pazarit, ku është evidente varfëria e fshatarësisë”.
Lef Nosi ka tërhequr vëmëndjen e dy anglezëve, aq sa i bëjnë një detajim të profilit të tij duke e krahasur deri me Monalizën.
“I ashtuquajturi Pasionanti i ynë ishte një person tek i cili ne gjykuam sensin e humorit që ziente përbrenda ngadalë sesa të vlonte vrullshëm duke lëshuar një curril avulli zbavitës që nuk shqetësonte aspak qetësinë e dukshme në sipërfaqe. Pra një lloj Monalize mashkullore për të cilin unë nuk mund të them se buzëqeshja e tij nuk kishte ato vlera enigmatike të cilat Pater i kishte ëndërruar të trupëzuara tek Dama e viteve Katërqind. Qetësia nuk është gjithmonë enigmatike, të paktën ajo në sipërfaqe e Pasionantit nuk ishte. Sytë e tij nuk binin në kundërshtim me shprehjen e fytyrës….. dhe megjithatë…. sa enigmatik që ishte… aq duhet të ishte në të vërtetë. Në fund të fundit, një njeri që kishte qënë kampion i zjarrtë i lirisë së vëndit të vet; një njeri që kishte qënë në burgje dy herë, një njeri që pranoi qëllimisht Kryebashkiakun e Elbasanit në momentin më të rrezikshëm, njeriu që nënshkroi një dokument revolucionar në sfidë ndaj një qeverie konservative, nuk mundet që të kishte shkarkuar nga supet tërë interesin e tij as dhe të kishte flakur për hiç të gjitha aktet e tij heroike ashtu siç mund të flaket një çantë shpine. Prandaj unë besoj se qetësia e tij ishte e çiltër dhe se aspiratat e tij politike, në vënd që të binin poshtë, ato kishin marrë krahë dhe ngjiteshin lart. Unë besoj se ai ishte shqiptari më fisnik që ne takuam dhe se ai ishte i vetmi altruist i vërtetë”.
Megjithatë, për vëllezërit e tij Liberalë, ai ishte vetëm një renegat ose një mbështetës i dobët, vetëm një konformist e disfatist. Por si shpjegohet gjithë ky koleksion epitetesh vallë? Kurrgjë…. është e kotë të harxhosh kohë ta shpjegosh. Ose vallë nga një dyshim i disave tani së fundmi, se Pasionanti ishtë më zbavitës se ata vetë dhe se ai tashmë kishte akaparuar tregun e kurioziteteve të Elbasanit. Por unë mendoj se Pasionanti tashmë kishte parë boshllëkun e politikës shqiptare dhe se tashmë ai e dinte që kur politikanët flisnin për të mirën më të madhe ndaj numurit më të madh të përfituesve, numri të cilit ata i referoheshin ishte Numuri Një. Ai kishte parë e provuar se sikundër nuk mund të mprehet një brisk rroje në një gur mulliri, po aqë nuk nuk mund të prodhohej nje instrument politik të çfarëdo lloj përsosmërie në një komunitet injorant dhe egoist. Ai kishte hedhur tej briskun dhe po përpunonte metoda të përsosjes se gurit që në vetvehte nga sa dukej i shkonte për shtat Sizifit. Mbaj mënd të na thonte se: “E vetmja qeveri tek e cila fshatari do ta besonte si të mirë, do të ishte ajo që do të qeveriste pa mbledhur taksa”.
Kurse ne për të duhet të kemi qënë tipa të çuditshëm dhe misteriozë. Ne mendojme se ai nuk mund të kuptonte mrekullimin tonë të pashtershëm ndaj banalitetit të përditshëm.
Ata flasin edhe për pasionin e Lef Nosit për koleksionimin. “Pasionanti bënte koleksion me gurë jo si qëllim në vetvehte por sepse ose ngaqë ato kishin qënë copa të Perandorisë Romake ose sepse ato i takonin gjeologjisë së Shqipërisë. Ai i mblidhte unaza të vjetra argjëndi ose zogj të veçantë sepse ato i takonin historisë së popullit ose zoologjisë. Megjithatë ai ishte jashtëzakonisht i këndshëm me ne. Në qytetet e tjera të Shqipërisë, Kryebashkiakët, Prefektët dhe personat privatë që takuam, na shtruan para këmbëve tërë të mirat e vëndit të vet dhe sa herë na qëlloi që të përfitonim nga kjo zemërgjërësi shtypëse, gjithmonë shfaqej një lloj vështirësie ndërmjet asaj që thuhej me atë që bëhej. Por Pasionanti merrte hua kuaj nga miqtë e tij dhe na shoqëronte tek ujrat e nxehta termale të Llixhave ose mobilizonte mjetin Ford të Prefektit për të na shpënë tek Babai Superior i sektit bektashian ose të drekonim tek Manastiri i Shën Gjonit ( Shijonit).
Babai bektashian ishte një plak qarraman që ishte mplakur dhe dobësuar brënda egoizmit të tij të shënjtëruar. Dinjiteti i rrobës së tij të bardhë të gjatë edhe kapeles të lartë të bardhe mbështjellë me një shirit jeshil dhe dymbëdhjetë pala prishej nga temperamenti i tij grindavec. Ai ishte në mospajtim me punët publike të Elbasanit të cilët po shtronin një tub ujësjellësi përmes tokave të manastirit dhe ndaj nesh, të konsideruar si të lidhur me autoritetet, na ktheu shurdhërisht nje vesh me një lobe të varur nga pesha e një vëthi gjigand argjendi”. /tesheshi.com/