Është mbyllur procesi gjyqësor në Gjykatën e Vlorës për të pandehurit e masakrës në Çole, ngjarje kjo e ndodhur në prill të vitit 2015, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe një i katërt u plagos.
Gjykata ka dhënë burgim të përjetshëm për shtetasin Aleksandër Llanaj, teksa Ani Begaj dhe Bertil Aliaj, u dënuan në mungesë me nga 35 vjet burg.
Ata ishin të akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese”, në bashkëpunim, të shtetasve Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj gjatë një konflikti me armë me 7 prill të këtij viti në lagjen “1 Maji” të Vlorës.
Organi i akuzës kishte kërkuar burg për jetë për Aleksandër Llanaj, si i dyshuari kryesor për vrasjet e tre të rinjve dhe 35 vjet burg për Ani Begaj dhe dhe po kaq vite burg për Bertil Aliaj.
Fillimisht, të akuzuarit janë hetuar me masën e sigurimit “arrest në burg”. Por më pas, gjykata e Vlorës zbuti masën e sigurimit për shtetasit Ani Begaj dhe Bertil Aliaj, duke i vendosur “detyrim për paraqitje”, pavarësisht provave të shumta në ngarkim të tyre. / Panorama.al