Tre doganierë të doganës së Kakavijës u arrestuan ditën e djeshme nga policia e Shqipërisë për shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Mes të arrestuarëve është edhe 35-vjeçarja Eneida Çuçi nga Gjirokastra.
Sipas policisë, Çuçi ka qenë në turn bashkë me doganierët Ilirian Ymeraj, 42 vjeç dhe Islam Thana, 42 vjeç në kohën që është lejuar kontrabanda.
Ndërkohë është arrestuar edhe 42-vjeçari Edison Qose, që ka kaluar mallra kontrabandë.
“42-vjeçari, banues në Shkozë në Tiranë, u arrestua pasi në aksin rrugor Kakavijë-Tepelenë, në automjetin tip “Fiat” me targa AA513 IU, u gjetën 1.3 ton mallra ushqimorë, të cilat i kishte sjellë nga Greqia nëpërmjet Pikës Doganore Kakavijë, duke shmangur detyrimet doganore, duke i dhënë doganierit të turnit shtetasit, Ilirian Ymeraj një shumë prej 200 euro”, thuhet në njoftimin e policisë.
Doganieri Ilirian Ymeraj, sipas policisë lejoi kalimin në doganë të mallrave kontrabandë kundrejt 200 euro, dhe pasi u njoftua për arrestimin e shtetasit Edison Qose, 42-vjeçari Ymeraj braktisi detyrën.
“Nga Krimi Ekonomiko-Financiar është bërë arrestimi i shtetasit Ilirian Ymeraj, 42 vjeç, banues në Fier, doganier në Pikën Doganore Kakavijë, ky shtetas ka favorizuar kundrejt shumës 200 euro shtetasin Edison Qosja, duke iu shmangur detyrimit doganor. Doganieri Ilirian Ymeraj porsa ka marrë vesh për arrestimin e poseduesit të mallrave kontrabandë ka braktisur detyrën dhe është larguar por është kapur gjatë ndjekjes nga Policia e Gjirokastrës.
Në vijim të veprimeve u bë ndalimi i dy daganierëve të tjerë: Islam Thana, 42 vjeç, banues në fshatin “Picar”, Gjirokastër, doganier në Pikën Doganore Kakavije; dhe Eneida Çuçi, 35 vjeç, banuese në Gjirokastër, doganiere në Pikën Doganore Kakavije.